Mungesë e provave, shpallen të pafajshëm dy zyrtarët e Komunës së Suharekës

Për mos rrënim të tërësishëm të objektit pa leje, drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Suharekës, Jehona Rrafshi-Lumi dhe inspektori i ndërtimit, Hafir Maliqaj, të enjten janë shpallur të pafajshëm nga shkalla e parë.

Rrafshi-Lumi dhe Maliqaj u liruan nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa në fjalën përfundimtare kishte deklaruar se drejtoresha nuk i ka përmbushur detyrat e saj zyrtare me qëllim të çfarëdo dobie për investitorin Blerim Gashi, pasi nuk ia kishte rrënuar objektin afarist të ndërtuar pa leje.

Ndërkaq, për Hafir Maliqaj, prokuroria kishte cekur se i njëjti si inspektor i ndërtimit nuk ndërmori masa për rrënim por i dha afat shtesë për pajisje me leje ndërtimore investitorit.

Të njëjtit janë liruar nga shpenzimet procedurale.

Vendimi u mor nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha me anëtarët Luan Berisha dhe Lulzim Hoxha.

Sipas Gjykatës, nga provat ka rezultuar se zyrtarët komunalë i kanë ndërmarr të gjitha veprimet.

Jehona Rrafshi- Lumi akuzohej nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqajn, Prokuroria akuzoj se si person zyrtar – inspektor i ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B. G., që ishte pronë e të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “Agro Kosova – Holding” i ka shkaktuar dëme materiale apo ia ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë e ngarkonte Maliqajn se nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh.R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendonte se i akuzuari Maliqaj i ka shkaktuar dëme materiale Komunës së Suharekës.

Lidhur me akuzën në fjalë, dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.