Inspektorati i Prizrenit do t'i largojë reklamat e bizneseve në Zonën Historike

Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, që udhëhiqet nga drejtori Islam Thaçi, do të fillojë trajtimin e të gjitha reklamave të përhershme, shenjave private, dekorimeve apo elementeve penguese të vendosura në ballinë të lokaleve afariste.

Sipas Drejtorisë së Inspektoratit do të hiqen të gjitha shenjat dhe reklamat që kanë sipërfaqe më të madhe se një metër katror, për të cilat bizneset nuk janë të pajisura me leje përkatëse, ashtu siç e parasheh neni 6 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Drejtoria e Inspektorateve paralajmëron të gjitha lokalet afariste përbrenda Qendrës Historike se ato urdhërohen që deri në fund të muajit mars të pajisen me pëlqime (leje) për vendosjen e këtyre reklamave tek Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në të kundërtën, pas afatit të paraparë për leje, do të bëhet largimi i reklamave të kundërligjshme në mënyrë të detyrueshme nga ana e Drejtorisë së Inspektorateve.

Drejtoria e Inspektorateve ka qenë mjaft aktive sa i përket Zonës Historike dhe brenda Shatërvanit.

Janari i vitit 2019 ka filluar me aksionin e saj për largimin e të gjitha objekteve dhe terrasave të cilat i kanë ngritur bizneset e ndryshme, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/prizren-vazhdon-largimi-i-objekteve-pa-leje-ne-qendren-historike/

Bujar Hasani, ish – drejtor në Komunën e Prizrenit, ishte i  pari që pësoi nga aksioni i Drejtorisë së Inspektorateve.

https://kallxo.com/komuna-e-prizrenit-ia-rrenon-terrasen-lokalit-te-familjes-se-ish-drejtorit-te-inspektoratit-bujar-hasani-foto/

www.kallxo.com