Inspekcioni Ndalon Punimet te Kisha në Kampusin Universitar

Inspekcioni i komunës së Prishtinës ka ndalur punimet në pastrimin e objektit të Kishës Ortodokse që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Inspektorët e komunës kanë dalë sot pasdite te kisha duke urdhëruar priftërinjtë që t’i ndalin punimet.

Krahas kësaj, ata ua kanë lënë një ftesë atyre që të paraqiten në Drejtorinë e Inspekcionit për të paraqitur “dokumentin teknik” të punëve që kanë qenë duke u bërë.

“Drejtoria e Inspekcionit ka vërejtur disa persona duke punuar në pastrimin e objektit të cilët kanë refuzuar të legjitimohen. Është vërejtur se në emër të pastrimit është bërë gëlqerosje e disa mureve ku kanë qenë të shkruara parulla të ndryshme”, ka thënë kryetari i komunës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook.

Punimet në pastrimin e objektit të papërfunduar të kishës kanë nisur dy ditë më parë, pas raportimeve për një zjarr të ndezur në mjediset e saj.

“Komuna e Prishtinës ka ndërprerë këtë aktivitet dhe ka kërkuar nga personat e përfshirë që të sjellin gjithë dokumentacionin zyrtar rreth këtyre punëve në drejtorinë e inspekcionit sot. Po ashtu kemi kërkuar në qoftë se ka ndonjë letër apo leje pune nga qeveria e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës nuk posedon asnjë dokumentacion rreth kësaj ndërtese.

“Qe më shumë se një vit kemi bërë thirrje tek të gjitha palët të sjellin dokumentacionin relevant, por kemi hasur në mospërfillje. Ne do ta zbatojmë ligjin sa i përket kompetencave të komunes dhe i ftojmë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet që të funksionojnë në përputhje me Ligjin për Ndërtimin”, tha Ahmeti.