Gabimi në tren | Foto: KALLXO.com

Infrakos: Hyrja e Trenit Serb Cenim i Pronës së Kosovës

Bordi i Ndërmarrjes Publike Infrakos që ka në përgjegjësi të gjitha linjat e hekurudhave në territorin e Kosovës, ka reaguar ndaj paralajmërimit të Serbisë për lëshimin e linjës së trenit Prishtinë- Mitrovicë.

Ky veprim, sipas bordit të Infrakos-it, cenon pronën e kësaj ndërmarrjeje dhe është në kundërshtim me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në vitin 2004.

Ky reagim ka ardhur pas një takimi të jashtëzakonshëm të këtij bordi.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje rreth paralajmërimit për të lëshuar linjën Beograd- Mitrovicë gjatë gjithë javës nga Infrakos dhe ministri i Infrastrukturës, por ata nuk kanë pasur përgjigje.

“Hyrja e trenit të udhëtarëve nga Republika e Serbisë në territorin e Kosovës pa leje dhe marrëveshje paraprake  me INFRAKOS-in, paraqet shkelje të rëndë të sovranitetit tonë shtetëror, cenim dhe uzurpim të një pjese të infrastrukturës hekurudhore e cila është pronë e INFRAKOS-it,” thuhet në komunikatën e Infrakos-it

Sipasd kësaj ndërmarrjeje hyrja e mundshme e këtij treni dhe “është në kundërshtim të plotë me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës Nr. 04 / L-063, rregulloret e brendshme të kompanisë, Direktivat e BE-së mbi Transportin Hekurudhor dhe po ashtu në kundërshtim të plotë edhe me të gjitha marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare mbi transportin hekurudhor”.

Infrakos-i u ka bërë thirrje hekurudhave serbe që të distancohen nga politika, si mënyrë e vetme për të kontribuar në qetësim të situatës dhe jo për të thelluar ndarjet.

Ky tentim për të hyrë nëpër hekurudhat e Kosovës, sipas Infrakos-it është kundër të gjitha normave të konektivitetit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave me hekurudhë, të përcaktuara me Memorandumin e Mirëkuptimit për Zhvillimin e Rrjetit Kryesor të Transportit Rajonal të Evropës Juglindore të nënshkruar me 11 qershor 2004 në Luksemburg nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë këtu edhe Kosovën dhe Serbinë.

“Sjellja e tillë e Hekurudhave Serbe është në kundërshtim të plotë edhe me të gjitha dokumentet, rregulloret dhe udhëzimet e Komunitetit të Hekurudhave Evropiane (CER) si dhe të Organizatës Hekurudhore Ndërkombëtare (UIC). Hyrja e trenit të tillë është në kundërshtim të plotë edhe me parimet dhe të gjitha dokumentet e Observatorit të Transportit për Evropën Juglindore (SEETO)”, thuhet në komunikatë.

Infrakos-i i ka ftuar të gjitha hekurudhat e vendeve anëtare të SEETO-s që ta gjykojnë këtë sjellje të hekurudhave serbe.

“Bordi i Drejtorëve i INFRAKOS-it është i gatshëm për zhvillimin e mirëfilltë të transportit hekurudhor ndërmjet dy shteteve tona duke iu përmbajtur në tërësi ligjeve ekzistuese dhe Direktivave të Bashkimit Europian,” thuhet tutje në këtë komunikatë.

KALLXO.com sot gjatë gjithë ditës shkroi për lëvizjet e trenit me simbole fetare, politike e shtetërore të Serbisë që në mëngjes u nis nga Beogradi me qëllimin që të mbërrijë nëtrovicën Veriore, ndërsa u ndal në Rashkë pa vazhduar më tutje drejt Kosovës.

Kryeministri i Kosovës por edhe ai i Serbisë dolën në konferenca të jashtëzakonshme në Prishtinë e Beograd pas zhvillimeve të sotme rreth trenit serb.