Vrasja e Liridona Murselit, reagon Agjencia për Barazi Gjinore
Agjencia për Barazi Gjinore që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka dënuar vrasjen e Liridona Murseli, ku i dyshuar është bashkëshorti i saj.
Sipas kësaj Agjencie dhuna në familje është një akt i kobshëm-kriminal i dënueshëm.
Agjencia u bën thirrje organeve të rendit për vënien para përgjegjësisë të dhunuesit dhe shqiptimin e dënimeve maksimale për autorët.
Përmes një njoftimin në Facebook, kjo Agjenci tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të grave.
“Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të grave, mos gëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit dhe jetës së grave si dhe kërkon që ky rast te trajtohet me urgjencë dhe të zbardhët kjo vrasje”- thuhet në njoftimin e kësaj Agjencie.
Agjencia thotë se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të jetës dhe gëzimit të të drejtave të grave dhe vajzave.
“Si Agjenci, mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të jetës dhe gëzimit të të drejtave të grave dhe vajzave në përputhje me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me të drejtat e grave. Si shoqëri, si shtet, si qytetarë të këtij vendi ne kemi detyrën të mbrojmë jetën e çdo individi. Bëjmë thirrje organeve të rendit për vënien para përgjegjësisë të dhunuesit, dhe shqiptimin e dënimeve maksimale, të ju japim fund masave lehtësuese për shfajësimin e dhunuesve! ”- thuhet në njoftimin e Agjencisë për Barazi Gjinore.
Policia e Kosovës ka bërë ët ditur se ka arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Murseli më 29 nëntor 2023 në Prishtinë. në mesin e të arrestuarve është edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, për të cilin dyshohet se ka porositur vrasjen.