Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Refuzohet propozimi i MKRS-së për financim të veçantë të Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Organizatorët e Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF) kanë refuzuar ofertën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për financimin e edicionit të 53 të këtij festivali, përmes një marrëveshje të veçantë, pas mos mbështetjes në bazë të thirrjes fundit të MKSR për mbështetjeje të projekteve të OJQ-ve për 2023.

Edicioni i 53-të të FTF-së është planifikuar të mbahet nga 27  gusht deri më 4 shtator 2023 në Ferizaj. Ky Festival organizohet nga Organizata jo qeveritare “Fondacioni Festivali i Teatrove në Ferizaj” në partneritet me Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu” (Teatri ‘Adriana’) në Ferizaj.

Organizatorë te FTF-së, kanë refuzuar ofertën e bërë nga MKRS pas kjo e fundit nuk i përfshiu në listen e mbështetjes së projekteve OQJ-ve “Art dhe Trashëgimi Kulturore”, me arsyetimin se nuk kishin plotësuar një nga kriteret e veçantë të kësaj thirrje, (nr. 44 në listë).

Në një përgjigje për KALLXO.com, MKRS thotë se organizatorët e FTF-së nuk i kanë përmbushur kushtet për financim.

Ministria e Kultures thotë se vitin e kaluar ky festival është mbështetur me 30 mijë euro nga Ministria, ndërsa organizata e njëjtë sivjet ka aplikuar në kategorinë tjetër me buxhet më të madh, në të cilën nuk i ka përmbushur kriteret.

Por, pavarësisht mos mbështetjes, MKSR thotë se ka propozuar gjetjen e një zgjidhje për mbështetje të këtij festivali, dhe për këtë ka diskutuar edhe me Komunën e Ferizaj ku i ka propozuar një marrëveshje për financimin FTF-së.

“Ne u angazhuam dhe ofruam zgjidhje për të siguruar financim afatgjatë, adekuat dhe të qëndrueshëm për festivalin në mënyrë që të shmangeshin peripecitë që për çdo edicion të aplikohet përmes një OJQ-je në thirrjet e institucioneve publike. Organizatorët e festivalit kanë refuzuar financimin me anë të marrëveshjes e cila do të ofronte mbështetje institucionale shumë vjeçare për festivalin, ashtu siç nuk e ka asnjë festival tjetër në Kosovë”- thuhet në përgjigjën e MKRS-s për KALLXO.com, pa dhënë hollësi për propozim- marrëveshjen e ofruar.

Por organizatorët e FTF-së, kanë refuzuar ofertën e MKRS për një marrëveshje të veçantë për financimin e këtij festivali. Propozimet e  MKRS, organizatorët e FTF-së i konsiderojnë  fjalë të thata, siç thonë ata në formën e thashethemeve jozyrtare.

“FTF e asnjë institucion tjetër i kulturës nuk ka nevojë për “dashamirësi”, as për “engjuj shpëtues” e “supermenë kulturorë” që premtojnë karrota për të sanuar problemet që vet i krijojnë. Ne kemi nevojë për komunikim të sinqertë, për bashkëpunim dhe për mbështetje konkrete. Prandaj, ne e refuzojmë mbështetjen e vonuar ( të supozuar) të MKRS-së, e cila u propozua të vijë përmes këtij “memorandumi”. Idetë e ‘zorit’, që synojnë ‘të kryejnë punë’ e sa për të shuar zjarre të përkohshme, nuk janë të qëndrueshme. Prandaj, po, REFUZOJMË”- thuhet në reagimin e organizatorëve të FTF-së.

KALLXO.com ka dërguar pyetje por nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Ferizajt lidhur me propozimin e MKRS për FTF-së, deri në publikimin e artikullit

Të premten e kaluar, më 30 qershor, MKRS publikoi listën përfundimtare të projekteve të mbështetura për këtë vit në art dhe trashëgimi kulturore.