Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Rihapet linja hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë, Kurti: Mbi 164 milionë euro investime nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë

Përmes një ceremonie sot u bë përurimi i tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapja e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë-Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh se ky është një çast vendimtar për Hekurudhat në Kosovë.

“Sot po e shënojmë një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën, po hapim dy tunele njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri 122 metra që kanë qenë të shembur. Mbi 164 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10 nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë”- u shpreh Kurti.

Sipas kryeministrit, mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikohen në segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe nga aty në kufirin verior të Republikës së Kosovës.

“Jemi mirënjohës BE-së, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropaine për Investim për mbështetje të financimit”- shtoi më tej Kurti.

Projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara.

Kurti theksoi se kjo linjë ofron kushte të mira edhe për eksport e investime.

“Linja hekururdhore që po e përurojmë sot do ofrojë formë të re të transportit, më të shpejt, sigurtë e lirë. Kjo krijon kushte më të mira edhe për eksport e investime. Gjatë javëve në vijim ministritë e linjës dhe Infrakosi do nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore për periudhën 5-vjeçare me praktika evropaine”- ka thënë Kurti.

Ai po ashtu foli edhe për marrëveshjen me Shqipërinë për linjën Prishtinë-Durrës si dhe ndërtimin e Portit të Thatë.

“Me Republikën e Shqipërisë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndërtuar hekurudhë Prishtinë-Durrës ku më pas planifikojmë të ndërtojmë Portin e Thatë që kthen kryeqytetin tonë në qendër të tregtisë dhe qarkullimit”- shtoi më tej Kurti.

Sipas tij, me këto linja Kosova bëhet pjesë e rrjetit të transportit trans-europian.

“Këtu treni dikur mund të zhvillonte shpejtesi deri 60 km/h, tani do mund të shkojë mbi 100 km/h është shprehur Kurti.

Derisa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kanë arsye të dyfishte që t’i gëzohen këtij përurimi.

“Ndërmarrja Infrakos po vazhdon me ndërtim të infrastrukturës me përkrahje të MMPHI, e në anën tjetër jemi në një pikë ku mund të themi se ndërmarrja e hekururdhave të Kosovës ka shënuar përmirësime të dukshme në menaxhim dhe qeverisje korporative. Përgjatë vitit të fundit ka intensifikuar punimet në projektin e ndërlikuar të rehabilitimit të linjës 10, Han i Elezit-Leshak, është bërë më shumë punë sesa në tërë jetëgjatësine e projektit”- deklaroi ministrja Rizvanolli.