Foto: Ilustrim

I dyshuari për vrasjen në Deçan vetëm 18-vjeçar

Policia Rajonale e Pejës ka dhënë detaje rreth rastit të vrasjes së sotme në qendër të Deçanit.

Përmes një komunikate, Policia thotë se sot rreth orës 11:10 është njoftuar se në rr. “Luan Haradinaj” ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Policia e Kosovës i është përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes dhe ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes ku kishte ndodhur rasti.

Viktima A.T. (1989) fillimisht është dërguar ne QMF-Deçan por si pasojë e plagëve të rënda i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.

Sipas ekipit mjekësor viktima ka arritur pa shenja jete në Spitalin e Pejës.

Policia e Kosovës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e shtetit, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat për kryerjen e veprës penale ‘vrasje ’.

Personi i dyshuar SH.G. (2000) është arrestuar dhe me vendim te prokurorit të shtetit është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

Me urdhër të prokurorit të shtetit viktima dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.