Josep Borrell reagon për vrasjen e trefishtë në Deçan: I tmerruar me sulmin e tmerrshëm

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell përmes një postimi në Twitter ka reaguar në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmë në Deçan.

Borrel ka shkruar për sulmin, duke iu referuar Deçanit, si Gjakovë.

“Të tmerruar nga sulmi i tmerrshëm në Gjakovë. Zemra ime shkon për viktimat dhe familjet e tyre. Përgjegjësit duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm. Unë qëndroj me të gjithë kosovarët në këto momente të dhimbshme”, ka shkruar Borrel në Twitter.

Nga sulmi, mbrëmë rreth orës 19:00 mbetën të vdekur tre persona, ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të cilët ishin në të. Ndërsa, një tjetër mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën.

Mbrëmë, drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti konfirmoi se po zhvillohen hetimet në disa pista.

“Aktalusht kemi dy – tri pista në të cilat jemi duke punuar. Nuk mund të jap detaje, sepse ekipet janë duke punuar dhe ende jemi në fazë fillestare. Kjo do të thotë që jemi në dy ose tri drejtime të caktuara por ende është shumë herët me dhënë detaje”, deklaroi Mehmeti mbërëmë nga Deçani.

Ai ka thënë se në këtë rast, arma e përdorur dyshohet të jetë Kallashnikov.

“Sonte në këtë vend ka ndodhur një situatë shumë tragjike, fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vend ngjarje ndërsa dy persona në spital kanë humbur jetën. Dyshohet që sulmi ka ndodhur me AK-47”, deklaroi Mehmeti.

Pas rastit kanë reaguar edhe krerët shtetëror duke përfshirë edhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për kapjen e të dyshuarve.

“Duke ju shprehur ngushëllime familjeve, lus të gjithë qytetarët që kanë ndonjë informacion rreth këtij krimi makabër, të bashkëpunojnë me institucionet relevante”, shkroi ai në Facebook.

Thirrje për bashkëpunim mbrëmë bëri edhe Prokuroria e Shtetit. Në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit, apelohet që çdo person që ka informacione në lidhje me atentatin, të bashkëpunoj me organet e rëndit në mënyrë që të zbardhet rasti.

Menjëherë pas vrasjes së trefishtë, kanë reaguar edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari I Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Aleancës për Armërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e të tjerë aktorë politik.