Gjykimi për fajde | Foto: KALLXO.com

I Dëmtuari i Fajdeve: Ndjeva Obligim të Paguaj më Shumë!

Edhe pse paguan shuma shumë më të larta sesa ato që morën borxh, dy dëshmitarë thanë në gjykatë se nuk ndihen të dëmtuar.

Berat Gashi e Ramiz Shala që sipas aktakuzës janë të dëmtuar të procesit gjyqësor kundër tre personave të akuzuar për fajde dhe një polici që ngarkohet për ndërmjetësim në mes të të akuzuarve dhe dëmtuarve, shfajësuan ata nga të cilët morën para, duke thënë se nuk humbën por përfituan nga kjo gjë.

Berat Gashi tha se nga i akuzuari Flamur Hoxha kishte kërkuar 2500 euro borxh, ndërsa i kishte kthyer 3800 euro.

Gashi deklaroi se i dha Hoxhës më shumë para sesa borxhi, ngase ndjeu obligim moral ta bënte këtë.

“Unë kur i kam vonuar paratë, ai më ka thënë se po humbi, se kam obligime shtëpiake, se ka pas me ble diçka dhe se unë ja kam prish pak planin, mirëpo unë i kam thanë se për këtë rast që t’i kam vonuar të hollat, unë e ndjej obligim moral që t’i jap më shumë,” tha Gashi.

Ai tregoi se paratë që i mori borxh i duheshin për të paguar doganën lidhur me biznesin e tij të shitjes së teknikës së bardhë të përdorur që e sillte nga Gjermania dhe për këtë kishte kërkuar 2500 euro borxh për afat prej një jave.

Sipas aktakuzës, Flamur Hoxha në fund të vitit 2013 kishte kontraktuar dhe pranuar dukshëm një shumë joproporcionale në krahasim me ato që ia kishte dhënë Berat Gashit.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha këto para i kishte dhënë me fajde prej 20 për qind në muaj, ndërsa për 2500 euro Berat Gashi kishte paguar 3800 euro dhe kishte dhënë dy makina të “Cady” në vlerë 800 dhe 700 euro.

Megjithatë në gjykatore, Berat Gashi mohoi që Flamur Hoxha paratë t’ia kishte dhënë me fajde, ta kishte kërcënuar apo bërë presion.

“Unë nuk kam pasur asnjë të keqe nga Flamuri, ndërsa më është gjindur me të holla”, tha Gashi, duke mos e konsideruar veten të dëmtuar.

Edhe dëshmitari Ramiz Shala i pyetur nga trupi gjykues, mohoi të ndihej i dëmtuar duke thënë se nga i akuzuari kishte pranuar vetëm dy vetura dhe jo para.

“Nga Xhelal Hoxha kam pranuar vetëm dy vetura por jo të holla, ndërsa nuk ndihem i dëmtuar sepse veturat i kam shitur më shtrenjtë ndoshta se që i kam pranuar,” tha Shala.

Sipas aktakuzës, Ramiz Shala kishte pranuar nga i akuzuari Xhelal Hoxha 5000 mijë euro, dhe kishte blerë veturën “Mercedes 190” në çmimin prej 3500 eurove me kamatë mujore prej 10 për qind.

Ramiz Shala më tutje gjatë dëshmisë së tij tregoi se pasi nuk ka mundur të paguajë nga 500 euro çdo tre ditë për borxhin e makinës, Nuhi Hoxha ka ndërhyrë te Xhelal Hoxha që ai të paguajë këst prej 300 eurove.

“Unë e kam njoftuar Nuhinë se s’po kam mundësi me i dhanë ka 500, por ka 300 dhe ai më ka thanë se s’ka problem, por vetëm paguaje brenda gjashtë muajsh,” tha Shala.

Shala deklaroi se pagesën prej 500 eurove e kishte bërë vetëm një herë, ndërsa e kishte huqur disa herë kohën e pagesës.

Aktakuza sqaron se kur Ramiz Shala ka rënë në vështirësi në pagesën e fajdesë, Nuhi Hoxha i ka shtyrë afatin e pagesës së këstit të fajdesë për borxhin që e kishte marrë nga Xhelal Hoxha.

Nuhi Hoxha akuzohet për veprën e ndihmës në fajde. Pjesë e këtij procesi gjyqësor është edhe polici Hamdi Jashari që akuzohet se ndërmjetësoi mes të akuzuarve dhe të dëmtuarve.

Seanca e radhës është caktuar më 23 shkurt.

KALLXO.com në janar të këtij viti shkroi për plagosjen e një dëshmitari të një procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për fajde në Prizren.

http://kallxo.com/plagoset-deshmitari-fajdeve-nje-dite-para-deshmise-ne-gjykate/

Më pas i plagosuri tregoi për KALLXO.com se si u sulmua me sëpatë e revole.

http://kallxo.com/ekskluzive-rrefehet-deshmitari-plagosur-gjyqit-per-fajde/