Prokuroria e Prizrenit kërkon 30 ditë paraburgim për dy të arrestuarit për fajde dhe detyrim

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.K., dhe A.K., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh, të dyshuar për fajde.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400 mijë euro.

Ndërsa thuhet se në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, hyn edhe viktima e dytë B.B., që merr para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerjen e borxhit.

Të pandehurit E.K., dhe A.K., nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, kërkojnë shumën prej 550 mijë euro.

Për të siguruar këtë shumë, të pandehurit kërkojnë nga viktima B.Ç. që në emër të kamatave t’u kalojnë në pronësi 2 lokale afariste dhe 1 shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro.

“Të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit”- thuhet në kërkesë.

Gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore, Prokuroria e Prizrenit ka sekuestruar pasuri të specifikuar, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte të ndryshme noteriale, dhe prova të tjera materiale, të cilat lidhen me veprat penale të lartcekura.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Prizrenit kanë njoftuar se kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale – fajde.

Përmes një komunikate të përbashkët për media, Policia dhe Prokuroria kanë thënë se dy personat e arrestuar dyshohen se kanë detyruar një person tjetër – viktimë të fajdes, që të paguajë shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes presionit kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e të cilave është rreth 1 milion euro.