Prezantimi i hulimtimit "A jetojmë më mirë?" - Foto: Facebook

Hulumtimi: Në Veri Jetohet më Mirë

Efektet e ndihmës financiare për veriun e Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 janë trajtuar në një hulumtim të Institutit për zhvillim ekonomik territorial (inTER) dhe “RTV Mir” nga Leposaviqi, i prezantuar në Prishtinë.

Në këtë hulumtim të titulluar “A jetojmë më mirë?” janë përfshirë projektet e inicuara më 2015 në katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Pas themelimit të kuvendeve komunale nga zgjedhjet lokale të mbajtura në nëntor 2013 sipas ligjeve të Kosovës, u krijuan kushtet që këto qeveri lokale të shfrytëzojnë mjetet e Qeverisë së Kosovës, si për funksionimin e tyre ashtu edhe për investime kapitale.

Synimi i hulumtimit, sipas autorëve, ishte që të kontribuohet në njohjen e procesit të të aplikimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe përmirësimit të informimit të qytetarëve lidhur me dobitë që sjell Marrëveshja.

Sipas analizës, për investime në këto komuna janë tri burime investimi: Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Fondi për zhvillimin e veriut të Kosovës (fondi doganor).

“Mjetet janë shpërndarë në mes të komunave në bazë të kritereve socio-demografike… Sektori më dominues ka qenë infrastruktura”, ka thënë Sonja Sovriliq nga “RTV Mir”.

“E gjithë ndihma financiare ka pasur qëllim ndihmën në aspektin politik, që përfaqësuesit e këtyre katër komunave me shumicë serbe të mbështeten në procesin e integrimit në sistemin juridik të Kosovës”, ka shtuar Jovana Jakovleviq.

Sipas hulumtimit, vetëm komuna e Zubin Potokut i ka realizuar të gjitha projektet, ndërsa realizimi në komunat tjera është më i ulët se 50%.

Libor Chald, përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se është ndarë i kënaqur që projekti nuk u shpërfill nga Qeveria e Kosovës dhe se do të vazhdojnë bashëpunimin duke punuar nga afër me njerëzit.

“Jam i impresionuar. Mendoj që është e dukshme që projekti nuk u shpërfill nga Qeveria e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju. Jemi duke hulumtuar në fusha të bashkëpunimit që të punojmë për së afërmi me njerëzit”, tha Chlad.

Shumica e projekteve kishin të bëjnë me asfaltimin e rrugëve lokale, rregullimin e rrugëve, ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit janë ndarë mbi 32 milionë euro në realizimin e 249 projekteve, ku 80% e mjeteve janë koncentruar në infrastrukturë në të katër komunat.

Redaktoi: Naser Sertolli