Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votimet në komunat veriore, fillon afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve

Nga 1 prilli ka filluar afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar për vëzhgimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Kjo thirrje nga KQZ është bërë për subjektet politike të kryetarëve aktualë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja.

Subjektet politike të certifikuara për të garuar në zgjedhje mund të aplikojnë për akreditim të vëzhguesve. Vëzhguesit e subjektit politik, sipas KQZ-së mund të vëzhgojnë të gjithë procesin zgjedhor apo vetëm ditën e zgjedhjeve, varësisht se për cilën aplikojnë.

Periudha për aplikim për akreditim të vëzhguesve nga subjektet politike (të kryetarëve aktualë) përfundon më 15.04. 2024, përmes kësaj vegëze.

Ndërkaq, mediet lokale dhe ndërkombëtare që janë të interesuara të vëzhgojnë zgjedhjet mund ta bëjnë këtë duke aplikuar për akreditim të vëzhguesve duke shtypur këtë vegëz

Organizatat lokale dhe ndërkombëtare si dhe misionet e ndryshme ndërkombëtare që janë të interesuara të vëzhgojnë zgjedhjet mund të aplikojnë për akreditim të vëzhguesve përmes kësaj vegëze.

Individët dhe personat pa akreditim nga KQZ-ja nuk mund të vëzhgojnë zgjedhjet.

Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar ata.

Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.