Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Kryetarët mbesin në vendet e tyre

Pas dështimit të votimit për largimin ose jo të kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se përderisa pjesëmarrja e votuesve ka qenë e ulët, kryetarët do vijojnë në pozitat e tyre në krye të komunave.

“Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e komunave. Kryetarët e komunave në vend u zgjodhën dhe mbeten në vend, sipas kornizës ligjore të Kosovës” – tha zëdhënësi në një përgjigjje për Kallxo.com.

Nga Ambasada thanë që ata së bashku me partnerët e ndoqën këtë proces nga afër dhe se i vjen keq që qytetarët në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës dhe nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike” – u shpreh zëdhënësi i Ambasadës.

Zëdhënësi shtoi se vendet e QUINT-it dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Listës Serbe dhe akterëve të tjerë politikë serbë në Kosovë që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim.

Sipas tij, Ambasada amerikane vlerëson përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik.

Nga po ky zyrtar u tha që qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar.

“Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë”- shtoi ai.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209, pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.