Hoti Kërkon Datë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj deportimit të djeshëm të gjashtë shtetasve turq.

Në Seancën e Kuvendit të Kosovës, Hoti tha se kjo ndodhi është në përgjegjësi të Kryeministrit dhe sipas tij i ka dhënë goditje institucioneve të vendit.

” Shefi i qeverisë nuk ka kontrolle mbi institucionet. Presidenti ka kaluar kompetencat e tij kushtetuese. Shkarkimi i ministrit nuk është i mjaftueshëm se përgjegjësia në fund i bie kryeministrit= Kjo është skandaloze për shtetin e Kosovës. Nga sot institucionet e vendit hyjnë në një rrugë të re. Nga sot duhet të ulemi e të bisedojmë e të dakordohemi për një datë të zgjedhjeve se nuk ka rrugë tjetër”, tha Hoti.

Ai po ashtu kërkoi sqarime shtesë lidhur me këtë ngjarje.

“Skandali që ka ndodhur dje u pa që hierarkia institucionale nuk është respektuar, të gjithë bartësit e institucioneve janë deklaruar që nuk kanë qenë në dijeni për rastin. Është e qartë se njohësit se procedurat nuk janë respektuar për deportimin e tyre. Sipas informatave ata kanë pasur lejeqëndrim. Ne nuk pajtohemi me këtë situatë do të kërkojmë sqarime nga institucionet”, tha Hoti.