Një i plagosur dhe katër të arrestuar për dhunë në familje në 24-orët e fundit

Një person është plagosur me thikë dhe katër të tjerë janë arrestuar nga policia për dhunë në familje.

Policia ka bërë të ditur se pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24-ortë e fundit.

Policia thotë se ka konfiskuar një thikë dhe një armë zjarri gjatë intervenimit në rastet e raportuara.

Sipas policisë, rastet e dhunë në familje kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Vushtrri më 20.02.2024.

Në Prishtinë policia ka arrestuar një persona pasi dyshohet se ka therur me thikë vëllanë e tij, duke konfiskuar edhe armën e ftohtë. Është arrestuar i dyshuari, pasi që me një mjet të mprehtë-thikë ka therur vëllain e tij”- thuhet në njoftimin e policisë. Policia thotë se i plagosuri është dërguar për mjekim në QKUK.

Sipas policisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po në Prishtinë, një grua ka raportuar në polici se është shqetësuar nga bashkëshorti i saj, shtetas i Turqisë, me të cilin është në proces të ndarjes.  Me vendim të prokurorit, sipas policisë, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovës, policia ka arrestuar një person pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, nga i njëjti, policia ka konfiskuar edhe një armë zjarri me 8 fishekë. “Ankuesja femër kosovare, ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me 8 fishekë”- ka thënë policia.

I dyshuari, sipas policisë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, në Fushë Kosovë policia ka arrestuar një të dyshuar për dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij”- thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit, sipas policisë i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Vushtrri, policia ka arrestuar një person i cili ka kërcënuar bashkëshorten e tij se do ta përzë nga shtëpia bashkë me fëmijët. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, të njëjtës i ka thënë që së bashku me fëmijët e tyre të dalin nga shtëpia”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.