Hetimet pa Fajtor në Vdekjet nga Fajdet

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në ka transmetuar sonte hulumtimin mbi tragjedinë e familjes Mehana nga Mitrovica e cila humbi dy djem për shkak të fajdeve.

Siç pretendon vëllai i viktimave, Afrim Mehana, institucionet shtetërore nuk u kujdesën aspak as për dy vëllezërit e vdekur e as për personat që mbeten gjallë duke mos i njoftuar së çka po ndodh në gjykatë me rastin e tyre.

“Nga familja vetëm unë njëherë kam qenë në gjykatë asnjëherë as babai e as nëna nuk kanë qenë në gjykatë, as njerëzit që vëllai Murati i ka akuzuar në letrën e tij lamtumirëse nuk janë arrestuar menjëherë. Vetëm kur na ka ndodh rasti i dytë me Petritin që ka bë vetëvrasje në atë kohë janë arrestuar”, theksoi Afrim Mehana.

Ai tregon edhe momenti kur gjykata e thirri për të dëshmuar për dy vëllezërit e vdekur.

“Në kohën kur ka filluar gjykata, mua më thërrasin vetëm si dëshmitar. Në fillim gjykata e Kosovës e pastaj rastin e kishte marrë EULEX-i. Më thirrin dhe kam shku në gjykatë në Vushtrri dhe aty i kam lutë sikur t’i kem vëllezër që të ndajnë vetëm drejtësi edhe sikur me m’kallxu Zoti qe qysh përfundoi. Ata u liruan”, theksoi Mehana.

Historia e familjes Mehana është njëra nga historitë më të dhimbshme të veprimtarisë së fajdeve në rajonin e Mitrovicës. Murati 30 vjeçar dhe Petriti 28 u vetëvranë brenda pesë javësh në vitin 2011.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti në vitin 2014 në mungesë provash u shpallën të pafajshëm dhe u lanë të lirë nga një trup gjykatësish ndërkombëtarë të EULEX-it në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” për rastin e familjes Mehana mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: