7 vite e 6 muaj burgim, 14 mijë euro gjobë ndaj 3 të akuzuarve për fajde

Me nga 3 vite burgim janë dënuar sot Hazir Tahirsylaj dhe Azem Veseli. Me burgim prej 1 viti e 6 muaj u dënua edhe Artim Çekaj. Gjykata Themelore e Pejës, dega në Klinë, sot ka shqiptuar dënimin dhe ka gjetur fajtor 3 të akuzuarit për veprat që u vihen ne barrë.

Hazir Tahirsylajn, për veprat penale të fajdesë dhe kanosje e ka dënuar me dënim unik prej 3 viteve burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Azem Veselin për veprën penale të fajdesë me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Ndërsa të akuzuarin tjetër Artim Çekaj, ndihmë në kryerjen e veprës penale më 1 vit e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Gjyqtari i këtij rasti Leon Përlaska, tha sot gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj tre të akuzuarit sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, datë 10.05.2023, dhe CD-të me video-incizime të takimeve të dëmtuarit dhe tre të pandehurve ku dëgjohet edhe diskutimi rreth huave dhe fajdesë, gjykata duke u bazuar edhe në shkresat dhe faktet tjera ka gjetur fajtorë këta tre të akuzuar.

Për të akuzuarin Hazir Tahirsylaj, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer dy vepra penale, sipas aktgjykimit i njëjti ka dhënë para me fajde të dëmtuarit Muhamet Berisha nga janari i vitit 2020  e deri më datën 15 shtator 2021.

“Në janarin e vitit 2020 e në vazhdimësie deri më datën 15 shtator 2021 në Deçan, për veten kontrakton në shumën dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personit tjetër dhe atë të dëmtuarit Muhamet Berisha, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë  financiare të këtij të fundit. I pandehuri Hazir në janar në një restorant në Deçan, i jep të dëmtuarit 5 mijë euro me 10% kamatë ku menjëherë ia ndal 500 euro për kamatë, ndërsa i dëmtuari deri në prillin e viti 2020 paguan 500 euro interes dhe 5 mijë euro kesh, në tersi 7 mijë euro”- tha gjyqtari Përlaska.

Në aktgjykim janë përmendur edhe shumat e parave që i dëmtuari Muhamet kishte paguar për të pandehurin Hazir Tahirsylaj në emër të fajdesë dhe kamatës për vonesat e fajdesë.

“Pas vendimit të qeverisë për kufizimin e punës, masat anti-covid, të dëmtuarit i përkeqësohet edhe më shumë gjendja pasi i anulohen 37 dasma, i pandehuri në muajin maj 2020 në të njëjtin vend me qëllim për të paguar fajde te i pandehuri Azem Veseli, Rrok Bezhi dhe Driton Podrimçaku i jep përsëri para me fajde në vlerë prej 5 mijë euro në vlerë prej 10%, më pas në gusht edhe 5 mijë euro me 10% kamatë dhe në fund të vitit edhe një herë 2 mijë euro dhe një herë 1,200 euro në vlerë të përgjithshme – në total prej 18,200 euro për të cilat i dëmtuari çdo fillim muaji deri në datën 3 përjashtim të vonesave e për të cilat gjobitet, paguan nga 2 mijë euro fajde ashtu që deri më datën 15 shtator 2021 i pandehuri Hazir Tahirsylaj realizon dobi pasurore në emër të fajdesë pa llogaritur shumën bazë ku së bashku me të i pandehuri ja kërkon edhe 25 mijë euro dhe ja ndal fajdenë”- tha gjyqtari Përlaska gjatë leximit të aktgjykimit për Hazir Tahirsylajn.

Gjykata Hazir Tahirsylaj e ka gjetur fajtor edhe për veprën penale të kanosjes, Siç shkruhet në aktgjykim i pandehuri Hazir Tahirsylaj e kishte kanosur me fjalë të dëmtuarin Muhamet Berisha. Pasi i pandehuri kishte shkuar në lokalin e të dëmtuarit dhe i është drejtuar më fjalët “…nuk mundem me ta ndal fajdenë, nëse luan prej pikave t`i qes trutë në tavolinë”.

Prokuroria ishte tërhequr nga vepra penale e kanosjes për Artim Çekaj, pasi fjalia e tij ndaj të dëmtuarit se “Mos i jep premtim njeriu llam e llam se rrehesh po të kallxoj që rrehesh prej meje qysh m`ke bo nervoz në gepek të shti”- nuk ishte klasifikuar si kërcënim por Artim Çekaj, gjykata e ka gjetur fajtor për veprën ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale’ dhe e ka dënuar më 1 vit e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

“Nga janari i vitit 2020 e deri në 15 shtator 2021 në Deçan me dashje e ndihmon personin tjetër në kryerje të veprës penale të fajdesë atë të akuzuarin Hazir Tahirsylaj në dëm të të dëmtuarit Muhamet Berisha. Duke e ditur gjendjen e rëndë të të dëmtuarit ndërmjetëson tek i akuzuari Hazir që t`i jep para me fajde të dëmtuarit dhe atë 5 mijë euro me 10% kamatë të cilat i dëmtuari më pas i paguan 7 mijë euro”- theksohet në aktgjykimin ndaj Artim Çekajt.

Fajtor për veprën penale të fajdesë gjykata e ka gjetur edhe Azem Veselin, të cilin e ka dënuar me 3 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

“Në fillim të muajit janar 2020 në vazhdimësi deri më datën 15 shtator 2021 në fshatin Llabjan komuna e Pejës, për veti kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale në këmbim të dëmtimit të pasurisë së dëmtuarit Muhamet Berisha. I Akuzuari Azem i jep para me fajde prej 3 mijë euro të dëmtuarit me 10% kamat për t’ia paguar Driton Podrimçakut 2 mijë euro fajde dhe një personi tjetër 1 mijë euro”- theksoi gjyqtari Përlaska, i cili po ashtu ka lexuar në aktgjykim se si ishin dhënë shumat e parave në emër të fajdeve.

“Pas 10 dite ja jep edhe 7 mije euro para me fajde me 10% kamat ku menjëherë ja ndal 1 mijë euro në emër të fajdesë në shumë totale 10 mijë euro. Mirëpo për shkak të vonesave ja kërkon 15 mijë euro për të cilat i dëmtuari në emër të kamatës duke përjashtuar vonesat çdo muaj paguan nga 2 mijë e 200 euro dhe nga 1 mijë euro çdo fillim muaji dhe 1,200 më datën 16 të secilit muaj. Për çka deri më datën 15 shtator 2021 i pandehuri Azem Veseli kur i merr edhe 1,300 euro në emër të fajdesë nga blerja e simuluar realizon dobi pasurore në emër të fajdesë dhe i kërkon edhe 5 mijë euro fajde dhe 10 mijë euro të borxhit”- theksoi gjyqtari.

Përveç dënimit me burgim dhe me gjobë, tre të akuzuarit obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguanin secili veç e veç nga 200 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit të paguajnë shumën prej nga 20 euro.

I dëmtuari Muhamet Berisha, udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta realizoj në kontest të rregullt civil.

Gjykata ka konfiskuar nga të akuzuarit edhe sendet si në vijim:

Të pandehurit Hazir Tahirsylaj i konfiskohet një veturë, një telefon, gjithashtu i konfiskohen edhe 20 mijë euro si mjete të përfituara nga vepra penale të cilat mjete gjenden në llogarinë e të pandehurit. Të pandehurit Artim Çekaj i konfiskohen dy telefona të përdoruar për kryerjen e veprave penale. Ndërsa të pandehurit Azem Veseli i konfiskohet urdhër pagesa, certifikata të pronës dhe kontrata tjera të shitblerjes. Gjykata gjithashtu ka urdhëruar kthimin e një veture tek pronari i saj, kjo veturë ishte sekuestruar nga i akuzuari Azem Veseli.