Ramush Haradinaj në 'FOL Hapur'. Foto: Kallxo.com

Haradinaj: Votat për Ushtrinë S’kanë Qenë Pjesë e Marrëveshjes me Listën Serbe

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka pranuar se nuk e ka diskutuar me Listën Serbe çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Jemi marrë vesh për mos me u marrë vesh me Listën Serbe për disa çështje. P.sh nuk jemi marrë vesh për çështjen e Ushtrisë. Votat e Listës Serbe për Ushtrinë nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes politike”, tha Haradinaj në diskutimin e organizuar nga Lëvizja FOL.

Sipas tij, mundësi për çështjen e Forcave të Armatosura do të ishte Ligji për FSK-në, por thotë se duhet pasur kujdes se si do të shihet kjo nga të tjerët.

“Mundemi edhe për 2-3 muaj, nëse e kryejmë me ligj, mundemi në qershor, mirëpo duhet parë se çka po thonë të tjerët, a po idhnohen, pra, duhet me kalkulu, sepse sa i përket planit të brendshëm mundemi me kry kur të dëshirojmë”, tha tutje Haradinaj.