Haradinaj Premton 35 Milionë Euro për Gjilanin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në vizitën që sot i bëri Komunës së Gjilanit pati premtime të mëdha lidhur me projekte qeveritare për këtë komunë.

Në takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Kryeministri i shoqëruar nga zëvendësministrat Magbule Shkodra dhe Rexhep Kadriu, foli lidhur me disa kërkesa të Gjilanit që do të adresohen nga qeveria.

“Jemi në identifikim të rrethanave për investim në impiantin e ujërave të zeza, për projektet e mëdha që janë në territorin e Komunës së Gjilanit, siç është Autostrada, por edhe projekte të tjera” , tha Haradinaj.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e cilësoi të veçantë  vizitën e kryeministrit Haradinaj në Gjilan dhe e falënderoi atë për financimin për herë të parë nga Qeveria të manifestimit kulturor ‘Flaka e Janarit” në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe po ashtu për zgjidhjen e problemit pronësor për  kampusin e Universitetit ‘Kadri Zeka’, të cilin kryetari Haziri e cilësoi si vendim kapital për zhvillimin e Universitetit dhe qytetit të Gjilanit në përgjithësi.

Gjatë qëndrimit në Gjilan, kryeministri Haradinaj bashkë me kryetarin Haziri vizituan kompaninë e lëngjeve “Fluidi”  dhe industrinë e vajit ushqimor “Floil” , ku është pritur nga pronari i kompanisë, Fejzulla Mustafa.

Kryeministri Haradinaj tha se do të jemi afër atyre që punojnë, që paguajnë taksa dhe që hapin vende të reja të punës.

Kjo vizitë e Kryeministrit po vie në kohën kur ai ishte paraparë të ishte prezent për një interpelancë të thirrur në Kuvendin e Kosovës.