Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Po na Bëjnë Dëm Narkotikët nëpër Shkolla

Në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, Kryeministri Ramush Haradinaj krimet kibernetike i lidhi edhe me narkotikët nëpër shkolla.

“Një dëm po na ndodhë- narkotikët nëpër shkolla. Nuk mjafton vetëm prindërit me i mbrojtë fëmijët, por duhet edhe shteti të punojë në këtë drejtim”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha më tutje se Kosova po punon për t’i zënë trendët e luftës kundër krimeve kibernetike.

“Jemi të vetëdijshëm që Kosova po punon mi zënë trendët me u përball me krimet kibernetike. Jemi vonë marrë parasysh përmasat e përhapjes së agresivitetit që ka sot mënyra e komunikimit që është përfshi shoqëria jone ne tërësi”, tha Haradinaj.

Ai konstatoi se kërcënimet kibernetike janë sfidë në gjithë botën.

“Kjo është sfidë në gjithë botën duhet ta ndjejmë përgjegjësinë të gjithë ne qe Kosova mos të pësojë nga kjo mos të ndodhin dëme të pariparueshme”, tha Haradinaj.