Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk është e Hijshme Gjuajtja me Armë në Shekullin XXI

Kryeministri Ramush Haradinaj në interpelancën në të cilën u ftua nga LDK-ja në lidhje me gjuajtjen me armë të zyrtarit të lartë qeveritar Dardan Gashi, tha se nuk është e hijshme të gjuhet me armë në shekullin XXI.

“Nuk është e hijshme në shekullin XXI me iu eksppozu publikut me gjuajtje me armë, janë disa tradita në jetën tonë, nuk janë zhdukë krejtësisht”, tha Haradinaj.

Haradinaj konstatoi se edhe vetë është tradicional, por tha se duhet të gjithë të korrigjohemi.

“Në pikëpamjet e mia personale janë pak ma tradicionale, mirëpo e përsëris ky rast edh kjo interpelancë edhe kjo tërheqje e vërejtjes është një porosi që të gjithë duhet ët korrigjohemi”, tha Haradinaj.

Kryeministri tregoi se për të shtënat me armë për të cilat është thirrur në interpelancë, janë marrë në pyetje nga policia pesë persona, në mesin e të cilëve edhe Dardan Gashi.

Sipas Haradinajt lënda ndodhet në Prokurorinë e Gjakovës, ndërsa janë konfiskuar edh dy revole.

Haradinaj tha se revolet ishin  me ajër të kompresuar të modifikuara për gjuajtje.

LDK-ja kërkon në interpelancë shkarkimin e ministrit Gashi për të shtënat.