Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj-Mesazh për Protestuesit në Prishtinë

Në protestën e sotme opozitare ku u kërkua lirimi i Ramush Haradinajt, atyre që protestuan iu drejtua me një mesazh ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit dhe kreu i AAK-së.

“Shkoj kohë e gjatë duke u përpjekë e duke luftu për të drejtën tonë. Edhe sot po e vazhdojmë po këtë rrugë duke e kërku të drejtën tonë për të jetu të lirë, me dinjitet në vatrat tona”, tha Haradinaj.

Ai kërkoi nga të mbledhurit që të jenë të qëndrueshëm.

“Nëse qëndrojme në rrugën tonë e në të drejtën tonë, do ta fitojmë të drejtën tonë të jetojmë të lirë në tokat tona, në të drejtën tonë”, tha Haradinaj.

Haradinaj u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Ai u lirua me kusht nga autoritetet franceze, por po mbahet në këtë shtet, derisa gjykata në qytetin Colmar të Francës të vendosë në lidhje me kërkesën ekstraduese të Serbisë për Haradinajn.

Më 2 mars gjykata në Colmar vendosi që për kërkesën ekstraduese të Serbisë të vendosë më 6 prill.

Deri atëherë Haradinaj do të qëndrojë në Francë.