Ramush Haradinaj në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla
Haradinaj: I Kam Votat sa për t’ia Nisur Punës
Haradinaj në një intervistë për televizionin publik ka thënë se ka qenë njeriu më i afërt i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe është më se normale që vajza e tij, Teuta Rugova të votojë atë dhe është jonormale presioni nga LDK që bëhet ndaj saj.
Në lidhje me veprimin e VV-së dhe LDK-së për kryeparlamentarin, Haradinaj ka thënë se ka një realitet në Kosovë sa i përket kryeparlamentarit dhe këtë e propozon vetëm PAN-i, kurse bllokadën e ka quajtur tendencë.
“Nuk ka shumë alternativë, kjo është një tendencë që ta bllokojnë me kryeparlamentarin, pasi e dinë që qeveria Haradinaj do të formohet. Mos të mashtrojë VV për një qeveri pa PDK-në, sepse unë u jam ofruar atyre dhe shoqërisë civile me një ofertë të shkruar, por ata nuk e kanë dashtë, dhe kjo që po bënë VV është vetëm një mashtrim”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Kadri Veseli është kandidat i vetëm për kryetar të Kuvendit, pasi është person serioz, ka përvojë, ka udhëheq Kuvendin për një mandat dhe ka mësuar shumë gjëra.
Haradinaj ka thënë se oferta e tyre për qytetarët ka qenë e qartë që Haradinaj do të jetë kryeministër e Veseli kryeparlamentar dhe për këtë kanë votuar qytetarët.
“Sikur të kishte fituar VV-ja për një deputet më shumë se ne, unë do të pranoja nga ta kandidaturën për kryeparlamentar dhe për formimin e qeverisë”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Duke mos dashur të tregojë se sa vota i ka, ai ka thënë se sa për t’ia nisur punës si kryeministër i ka votat.