Hamdi Ibrahimi: Zvogëluam Lëndët e Vjetra

Kryetari në largim i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi suksesin kryesor të këtij viti e vlerësoi zvogëlimin e lëndëve të vjetra.

“E arritura jonë kryesore e këtij viti është zvogëlimi i numrit të lëndëve të vjetra dhe marrja në shqyrtim i lëndëve të vjetra kryesisht në çështjet civile ku kemi treguar një rezultat shumë të mirë dhe më vjen mirë që para mediave mund të them se Gjykata ka arritur që ti përmbushë obligimet që i ka në raport me palët që shumë vite kanë pritur këtë gjykatë,” tha Ibrahimi.

Ibrahimi në konferencën ku paraqiti punën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nën drejtimin e tij në katër vjetët e fundit, tha se në vitin 2016 kjo gjykatë u përball edhe me lëndë të vjetra të mbetura edhe nga viti 2004.

Ibrahimi tregoi se gjatë mandatit të tij gjykata kishte në punë 320 mijë lëndë, nga të cilat kreu 159 mijë, ose përafërsisht gjysmën e tyre.

“Llogaritur nga çështjet më të lehta në gjykatë e deri tek çështjet më të rënda kishim në punë mbi 320 mijë raste, prej tyre ne kemi kryer mbi 159 mijë. Pra ju numerikisht mund të shihni se me çka përballet regjioni Prishtinës,” tregoi Ibrahimi.

Edhe këtë vit, sipas Ibrahimit, themelorja në Prishtinë u përball me mungesë të gjyqtarëve dhe mungesë të stafit administrativ, por zvogëloi numrin e çështjeve civile nën 15 mijë.

Hami Ibrahimi ishte kandidat në garën edhe për një mandat për kreun e Gjykatës Themelore të Prishtinës, por në këtë pozitë Këshilli Gjyqësor i Kosovës zgjodhi gjyqtaren e krimeve të rënda të Gjykatës në Mitrovicë Afërdita Bytyqi.

Mandati i Ibrahimit përfundon në fund të vitit.