Pamje nga një seancë e kaluar në gjyqin për fajde - Foto: KALLXO.com

Gruda: Pagova 500 Euro në Ditë Kamatë të Fajdeve

I dëmtuari Pal Gruda ka dëshmuar sot përmes video-lidhjes në gjykimin e 14 personave, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale si krim i organizuar, fajde, detyrim dhe lojëra piramidale të bixhozit.

Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesën e avokatëve të Pal e Zef Grudës që këta të mos jenë prezentë në gjykatë dhe të dëshmojnë përmes video-lidhjes.

Sipas Pal Grudës e gjithë historia kishte filluar nga lokali “Route 66” në Tiranë, në kohën sa ai ishte atje në studime. Ai tregoi se në këtë lokal vazhdimisht kishte drekuar. Sipas tij, pronarë ishin Asdren Mekaj dhe Visar Lipa.

Këta të fundit tha se i kishin ofruar që ta blinte biznesin e tyre në vlerë prej 15 mijë euro. Pas blerjes së biznesit, të cilin tha se e kishte bërë pa dijeninë e familjes së tij, lokali kishte dalë të jetë në dy hipoteka.

Më tej, në dëshminë e tij ai tha se kishte qenë i detyruar nga Asdren Mekaj që të blinte një veturë të tipit “Mercedes ML” në vlerë 45 mijë euro, në të kundërtën Mekaj i kishte thënë se do ta njoftonte familjen e tij për blerje të lokalit dhe po ashtu e kishte kërcënuar se ishte i fortë edhe nga ana e shtetit, madje i kishte përmendur edhe mixhën e tij, Salih Mekaj, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës së Qarkut në Pejë.

Pas kësaj veture, Pali dëshmoi edhe për shumë shitje dhe blerje të veturave tjera mes tij dhe Asdren Mekajt, njëra prej të cilave kishte pasur vlerën 85 mijë euro.

Pal Gruda tha se duke qenë i detyruar për shumë shitje dhe borxhe ndaj Asdren Mekajt, ky i fundit së bashku me Kastriot Kukën e kishin detyruar duke e paralajmëruar për një shumë të borxhit prej 200 mijë euro, të cilën dëshmitari tha se nuk e kishte pranuar.

Po ashtu, Gruda tha se kishte qenë i detyruar të hynte në borxh te tani i akuzuari Besfort Omaj, të cilit më pas i kishte paguar shuma të mëdha parash, deri në 60 mijë euro. Ai tha se kishte paguar kamata ditore deri në 500 euro.

I dëmtuari tregoi se të gjitha këto i kishte bërë pa dijeninë e familjes së tij, madje se kishte marrë të holla dhe ar në lokalet familjare.

Më tej dëshmitari tregoi se kishte ardhur momenti dhe për problemin kishte biseduar me të atin, Zefin. Bashkë me babanë ishin takuar me familjarë të Besfort Omajt, të cilët tha se kishin kërkuar si përfundim edhe 120 mijë euro.

Këtë borxh Pali tha se nuk e kishin pranuar, ndërsa më pas kishin marrë “selam” nga vëllai i Besfortit se tani e njëqind vjet i kanë borxh ato para familjes Omaj.

Për shkak se përfundoi orari i rregullt i punës i Gjykatës, dëshmia e të dëmtuarit Pal Gruda u ndërpre, për të vazhduar më 9 janar 2017.

Mbrojtësit edhe një herë në fund të seancës kërkuan ndërprerjen e masës së paraburgimit për klientët e tyre.

Madje, avokati Azem Vllasi tha se i mbrojturi i tij, Tunë Kqiraj, i cili po mbahet në paraburgim qe 18 muaj, është edhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të njëjtën kërkesë për ndërprerje të paraburgimit e patën edhe mbrojtësit e tjerë.

Ndërsa prokurorja speciale, Merita Binaj-Rugova, tha se e kundërshton fuqishëm kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati Esat Gutaj tregoi se e gjithë mbrojtja kanë bërë kërkesë për ndërprerjen e paraburgimit, duke qenë se klientët e tyre qe dy vjet gjenden në paraburgim.

“Paraburgimi nuk është dënim, është masë për prezencën e tyre. Meqenëse kanë pushuar arsyet edhe kërkuam që të ndërpritet paraburgimi. Por, edhe këtë herë, për fat të keq, nuk u ndërpre”, tha ai.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e kaluara të këtij procesi. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Në shtator të këtij viti në emisionin “Drejtësia në Kosovë“ u trajtua rasti i fajdeve në Mitrovicë.

Për shkak të fajdeve, dy vëllezër, Murat e Petrit Mehana, kishin bërë vetëvrasje më 2011.

Vetëvrasjet e Mistershme të Shtyra nga Fajdet