Me Grevë Urie, Kërkon ‘Ribashkimin’ e Boros e Ramizit

Kryetari i Unionit te Malazezeve të Kosovës, Slobodan Vujicic ka mbajtur grevë urie deri në momentin kur është vizituar nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar kthimin e bustit te Boro Vukmirovic, i larguar ne vitin 1999 dhe tabelës së rrugës me emrin e poetit te njohur malazez Radovan Zogovic.

Busti i partizanit Boro Vukmirovic ishte i vendosur në parkun e qytetit, afër atij të shqiptarit Ramiz Sadiku, të cilët luftuan së bashku kundër okupimit fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, nga viti 1999 në atë vend ka mbetur vetëm busti i Ramiz Sadikut.

Kjo ka shtyrë Slobodan Vujicicin, kryetarin e Unionit të Malazezëve të Kosovës të nisë grevën e urisë të hënën. Pasi kaloi natën në parkun e qytetit, ai ka qëndruar edhe gjatë të martës, duke kërkuar nga autoritetet lokale ta rikthejnë bustin në vendin e vet.

“Mendoj se busti i Boro Vukmirovic duhet rikthyer afër atij të Ramiz Sadikut pasi ata dy janë simbol i luftës kundër fashizmit dhe një bashkëjetese të mundur të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Vujicic për BIRN.

Ai tha se asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje nga komuna e Prishtinës edhe pse disa herë ka kërkuar sqarime lidhur me këtë.

Sipas Vujicic, rikthimi i bustit në vendin e tij është akt civilizues, duke shtuar se “Kosova duhet ndërtuar  në antifashizëm dhe duhet kultivuar dhe ruajtur këto vlera. Kjo është rruga drejt Bashkimit Evropian.”

Heronjtë e Harruar të Miqësisë Shqiptaro-Serbe

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës Adonis Tahiri, i tha BIRN-it se fillimit duhet të shihet se si është larguar ai bust. “Ne nuk jemi në dijeni për rrethanat se si është larguar ai bust” ka thënë Tahirir.

Kërkesë tjetër e Vujicic është rikthimi i tabelës së rrugës me emrin e poetit të njohur malazez, Radovan Zogovic.

Adonis Tahiri tha për BIRN se kjo nuk është hera e parë që ajo tabelë largohet nga persona të panjohur, por intervenohet menjëherë nga komuna.

“Rruga me emrin “Radovan Zogovic” ekziston në Prishtinë. Kemi evidentuar problemin e largimit të tabelës sa herë që ka ndodhur dhe sa herë të hiqet nga aty, ne do ta rivendosim”, tha ai.

Slobodan Vujicic është pajtuar me drejtorin për kulturë të Komunës së Prishtinës, Besart Vllahinja që fillimisht të shihen mundësitë e gjetjes së bustit dhe më pas të punohet lidhur me këtë çështje.