Gjykimi për Vjedhjen që Përfundoi me Vrasje

Në këtë proces gjyqësor për vjedhje grabitqare akuzohen Alfred Zylfaj, Shaqir Kuqi, Mehmet Krasniqi, Shkëlzen Dervisholli dhe Isuf Sllamniku.

Vjedhja grabitqare ndodhi në Vragoli të Fushë-Kosovës në vitin 2010, kur të akuzuarit sipas prokurorisë hynë në një shtëpi, ndërsa pasi u vërejtën nga ata që jetonin në të gjuajtën edhe me armë duke vrarë pronarin e shtëpisë Rasim Gashi.

I akuzuari Alfred Zylfaj në mbrojtjen e tij u qëndroi besnik deklaratave të mëhershme të tij në procedurën hetimore dhe gjatë seancave gjyqësore.

Kur u rikonstruktua vendi i ngjarjes Zylfaj kishte thënë se ka shtënë me armë gjatë ikjes nga shtëpia ku grupi i të akuzuarve kishte hyrë për të vjedhur.

“Unë kam shtënë me armë një herë dhe pasi kam gjuajtur kam zhdrypur dhe dalë përmes korridorit dhe sallonit të shtëpisë,” kishte thënë i akuzuari Zylfaj.

Zylfaj në seancën e sotme u pyet nga mbrojtja e tij në lidhje me maskat e përdorura gjatë grabitjes.

“Maskat kanë qenë mangë të xhemperit, nuk kanë qenë profesionale,” tha Zylfaj.

Mbrojtjen e paraqiti edhe i akuzuari Shaqir Kuqi që tha se në shtëpi grupi nuk hyri për të vrarë, por për të vjedhur.

“Edhe njëherë po them këtu se ne nuk kemi pasur kurrfarë qëllimi me e privuar askënd nga jeta, apo me e dëmtua dikë. Në atë shpi ku ka ndodhur vrasja kemi hy me vjedh,” deklaroi i akuzuari Kuqi.

Kuqi tha se Zylfaj i kishte thënë të merrte ndonjë armë.

“Mua me ka ftuar Alfredi pasi që e kam kojshi dhe më ka thënë hajde të shkojmë te një shok qe e kam pasur ne Austri dhe merrne ka një armë se kemi me dalë ne natyrë me gjuajt,” tha Kuqi.

Edhe Mehmet Krasniqi dhe Shkëlzen Dervisholli thanë se nuk kanë çfarë t’u shtojnë deklaratave të mëhershme.

Rasti i pesë të akuzuarve për vjedhje grabitqare është kthyer në rigjykim pas ankesave që kishin bërë prokurori i  rastit dhe avokatët e të akuzuarve.

Në vitin 2014 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar  Alfred Zylfajn më 15 vjet e gjysmë burgim, Shaqir Kuqin më 13 vjet e gjysmë burgim, Mehmet Krasniqin më 10 vjet burgim, Shkëlzen Dervishollin më 10 vjet burgim dhe Isuf Sllamnikun më 2 vjet e 7 muaj burgim.

KALLXO.com raportoi edhe për seancat  e kaluara ne lidhje me këtë rast.