Gjilan, konflikti i vitit 2011 merr fund në gjykatë me 4 vjet e 10 muaj burg

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar më 4 vite e 10 muaj burgim një person të akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë.

A.R. nga prokuroria akuzohej se në janar të viti 2011 në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan, me paramendim dhe me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin B. L.

Sipas prokurorisë ai kishte shtënë me armë në drejtim të tij, ku e kishte goditur në krahun e majtë, dy herë në dy këmbët dhe njëherë në shpinë.

Po ashtu i akuzuari kishte shtënë edhe njëherë në drejtim të dëmtuarit K. S., me ç’rast predha kishte shkuar afër syrit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Këto veprime i akuzuari A.R i kishte bërë si shenjë hakmarrje, ndaj të dëmtuarit B.L pasi që ky i fundit një muaj më herët kishte therë me thikë vëllain e të akuzuarit A.R.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprat penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës (KPK).

Trupi gjykues i departamentit të Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, për dy veprat penale ka i shqiptuar një dënim unik prej 4 (katër) vite e 10 (dhjetë) muaj burgim.

Ndërsa gjykata ka liruar nga akuza të pandehurin Rr.R , kjo pasi që nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll të armëve.

Kurse ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.