Gjenerali Wesley Clark Uron Kosovarët për 10 Vjetorin e Pavarësisë

Ish- Komandanti suprem i NATO-s, Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, me anë të një video mesazhi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës në shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Me anë të mesazhit, Gjenerali Clark, ka thënë se popullin e Kosovës e mban mend si ndër më të guximshmit dhe më të qëndrueshmit në Europë.

“Popullin e Kosovës e mbaj në mend si ndër më të guximshmit dhe më të  qëndrueshmit në Evropë  dhe po ashtu e mbaj në mend si popullin më pro-amerikan në Evropë”, ka thënë Clark.

Ai po ashtu në video mesazh ka thënë se dhjetëvjetorin e pavarësisë, populli i Kosovës duhet ta kujtoj me shumë krenari.

“Tash kur po e festoni 10 vjetorin e pavarësisë, duhet ta kujtoni me shumë  krenari atë  që është arritur dhe nga ju duam të shikoni drejt asaj që mbetet për t’u bërë në të ardhmen – zhvillimi ekonomik, përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët, mposhtja e pasigurive të  së  kaluarës, izolimit, ndasive dhe shtypjeve etnike, të  cilat kanë  mbizotëruar me shekuj në  Ballkan – për t’u bërë  kështu prijës të Evropës së re. Të  ardhmen e keni përpara. Keni popull shumë të mirë. Keni miq shumë të mirë në Shtetet e Bashkuara. Unë besoj në të ardhmen tuaj të ndritshme”, ka thënë Clark.

Kosova nesër feston dhjetëvjetorin e pavarësisë së saj.

Për nder të kësaj dite janë organizuar shumë aktivitete.