Foto: Ilustrim

Gjendet 12-Vjeçja e Zhdukur Dje

Policia ka njoftuar se është gjetur 12-vjeçarja për të cilën prindërit e saj raportuan se është zhdukur dje.

Sipas njoftimit të Policisë, dje rreth orës 12:00, në stacionin policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, prindi i 12 vjeçares ka raportuar se i është zhdukur vajza.

“Sipas të dhënave të para të deklaruara nga ankuesi, thuhej se nga ora 7:00 e mëngjesit vajza kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë, ndërkohë ankuesi (prindi) kishte kuptuar se vajza e tij nuk ndodhej në shkollë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me të marrë deklaratë, hetuesit policorë kanë njoftuar prokurorin e rastit dhe me urdhër të tij kanë filluar hetimet dhe kërkimin për personin e zhdukur.

“Hetimet policore në kërkim të vajzës së mitur, bazuar në të dhënat dhe përshkrimin e bërë nga vetë prindi janë bashkërenduar me të gjitha rajonet policore të shpallur në kërkim në nivel vendi, ndërsa pas disa orë angazhimi në orët e mbrëmjes e mitura vajza 12 vjeçare është gjetur në qytetin e Fushë-Kosovës”, thuhet më tutje në njoftimin e PK-së.

Rasti është duke u trajtuar sipas procedurave në bashkëpunim me mbrojtësin e viktimave dhe zyrtarë të Qendrës për Shërbime Sociale.