Tryeza e GAP-it | Foto: KALLXO.com

GAP: Gratë Kryefamiljare Shpenzojnë më Mirë Buxhetin Familjar

Instituti GAP në një tryezë të organizuar sot prezantoi rezultatet e analizës në lidhje me menaxhimin e buxhetit familjar nga gratë dhe burrat.

Rezultatet e analizës së prezantuar, sipas Blendi Hasaj nga Instituti GAP, janë bazuar në tri modele të konstruktuara për të matur gjasat e kryefamiljarëve në Kosovë për të shpenzuar në shëndetësi, duhan, ose ushqime të shëndetshme.

Sipas analizës së prezantuar nga Blendi Hasaj, del që të qenët kryefamiljare grua rrit gjasat për shpenzime në shëndetësi. Ndërkaq, kur kryefamiljari është burrë ulen gjasat për shpenzime në shëndetësi për 6%.

Analiza ka trajtuar edhe raportin e shpenzimeve nga gratë dhe burrat kryefamiljarë për duhan.

Sipas z. Hasaj, del që burrat kryefamiljarë kanë tendencë më të lartë për të shpenzuar në duhan sesa gratë kryefamiljare.

I pranishëm në tryezë ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova që theksoi rëndësinë e analizave të tilla në implementimin dhe krijimin e legjislacionit të nevojshëm për mirëqenien sociale.

Deputeti Rugova pati edhe vërejtje në mënyrën se si ndodh shpërndarja e ndihmave sociale dhe kërkoi që të ketë një sistem të unifikuar elektronik të informatave lidhur me personat që janë pjesë e skemave sociale.

Në kuadër të prezantimit të analizës u rekomandua nga organizatorët që skema e ndihmave sociale të ndryshohet në atë formë që të rritet numri i bartëseve gra të ndihmës sociale në kategorinë e parë ku bëjnë pjesë personat dhe familjet me kushte të vështira ekonomike.