Pamje nga tryeza për Eqrem Bashën. Foto: KALLXO.com.
Seminari i shqipes, mbahet tryeza për krijimtarinë e akademik Eqrem Bashës
Krijimtaria letrare e artistike e akademik Eqrem Bashës është prezantuar sot në tryezën “Tryeza për Eqrem Bashën” që u mbajt në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Tryeza për Bashën nisi me një minutë heshtje në nderim të akademik Bahri Becit që vdiq dje në moshën 86-vjeçare.
Gjatë kësaj tryeze, studiues të shkencave albanologjike dhanë vlerësime për kontributin si poet, prozator, skenarist, kritikë letrare, artit pamor, në veçanti si përkthyes i kryeveprave botërore letrare.
Akademik Rexhep Ismajli tha se Basha është ndër poetët e parë modernë të letërsisë shqipe e një mjeshtër i tregimit.
”Nga 1971 akademik Basha deri më tani ka botuar 5 vëllime me tregime, 11 përmbledhje me poezi, 4 romane, skenarë për filma e seri televizive, e shumë kritika për artet pamore, film e televizion. Ndërsa duhet veçuar kontributin e tij në përkthimin e veprave të njohura të letërsisë botërore, sidomos veprën ‘Teatri frëng i shekullit XX’”- ka thënë akademik Ismajli.
Shkrimtari e studiuesi Virion Graçi tha se proza e Bashës dallohet për nga mjetet shprehëse të saj. Sipas tij, Basha e pasuron fondin e zgjedhur të letërsisë shqipe duke lundruar kundër rrjedhave të saj, sa i përket tipologjisë së heroit, të protagonistit.
“Nëse letërsia shqipe e ka të ekzagjeruar fondin e personazheve me vlera të larta etiko-morale, atdhetare, të mbingarkuar me ideale pozitive e pathos popullor, Ai sjell heronjtë e vegjël ose anti-heronjtë, njerëz të cilët pesha e kohës historike, rrethanat e veçanta individuale a të rastësia i ka bërë edhe më të vegjël, gati mikroskopikë” – tha Graçi.
Kurse, Lumnije Jusufi ka folur për romanin “Varrë” të Bashës. Sipas saj, ky roman është një pasqyrë e problemeve socio-politike që përballën banorët e një zone të caktuar të brezit kufitar.
“Edhe pse nuk tregon se cili është rajoni kufitar në të cilin fjalë në romanin ‘Varrë”, vërehet qartë se bëhet fjalë për Dibrën, brezin kufitar, Maqedoni e Veriut- Shqipëri (dikur ish Jugosllavi-Shqipëri)”- tha Jusufi.
Në fund akademik Basha falënderoi Seminarin dhe studiuesit për tryezën ku u diskutua për krijimtarinë artistike të tij.
Eqrem Basha lindi më 15 nëntor 1948 në Dibër.
Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Punoi në gazetën ‘Rilindja dhe në TV Prishtina, deri më 5 korrik 1990, kur u përjashtua me dhunë nga puna.
Shkruan tregime, romane, vjersha, ese, skenarë për film e TV, pjesë skenike dhe kritikë për artin figurativ.
Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.
Deri më tani ka botuar një numër veprash letrare e studimore, si: “Shëtitje nëpër mjegull”, “Opuset e maestros”, Brymë në zemër”, “Varrë”, “Teatri frëng i shekullit XX”, etj.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 2001, anëtar i rregullt në vitin 2004.
Edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtare të Shqipes ka nisur më 14 gusht dh do të zgjas deri më 25 gusht 2023 në Prishtinë.
Në kuadër të këtij edicioni të Seminarit të shqipes po mbahen një sërë ligjëratash, ligjërim nga shkencat albanologjike e kurse të gjuhës shqipe në tri nivele për seminaristët e huaj.