FOTOGALERI: Nis ndeshja Kosova - Ishujt Faroe

Ka nisur përballja e parë zyrtare ndërkombëtare e kombëtares së Kosovës në një stadium vendor, atë “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Përfaqësuesja e Kosovës po përballet me atë të Ishujve Faroe, e vlefshme për kualifikimet në Ligën e Kombeve.

Ndeshja po zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit, i cili së fundmi është emërtuar me emrin e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili vdiq në qershor.

Po ashtu, kjo ndeshje është e para që kombëtarja e Kosovës e zhvillon në territorin e Kosovës, pasi që pas rinovimit stadiumi “Fadil Vokrri” i ka plotësuar standardet e UEFA-s.

Deri më tani, kombëtarja e Kosovës ndeshjet si vendës i ka zhvilluar jashtë vendit, kryesisht në Shkodër.

Siç tregojnë fotografitë e fotoreporterit të KALLXO.com, spektatorët kanë nderuar figurën e presidentit të ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke mbajtur në duar numrin 9, të cilin Vokrri e ka mbajtur në kohën kur luante për FC Prishtina në kuadër të garave në ish-Jugosllavi.