Pamje nga Seanca - Foto: KALLXO.com

Fjala Përfundimtare në Gjyqin për Vdekjen e Çiklistit

Në gjyqin ndaj tre personave, të cilët akuzohen për vdekjen e një çiklisti, është dhënë fjala përfundimtare.

Basri e Përparim Miftari dhe Zenel Robelli akuzohen nga prokuroria se kanë rrezikuar trafikun publik dhe si rezultat i këtij veprimi ka vdekur çiklisti Naim Rexhepi.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në dhjetor të vitit 2014 në aksin rrugor Shipashnicë e Epërme – Desivojcë.

Prokurorja e rastit Bahtie Ademi në fjalën përfundimtare kërkoi nga Gjykata në Kamenicë dënimin e të dyshuarve.

“Gjykatës i propozoj që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të njëjtëve t’u shqiptohet dënimi i merituar penal, në mënyrë që me shqiptimin e dënimit të arrihet vet qëllimi i dënimit”, tha prokurorja Ademi.

Por i pakënaqur me fjalën përfundimtare të prokurores ishte avokati Vaxhid Syla, i cili mbron të akuzuarin kryesor Basri Miftari.

Miftari dyshohet se duke lëvizur me shpejtësi të madhe, mbi kufirin e parashikuar në ligj, ka goditur Naim Rexhepin, i cili po lëvizte me biçikletë. Për shkak të plagëve Naim Rexhepi kishte ndërruar jetë.

Po ashtu, Basri Miftari akuzohet edhe për dy vepra penale – mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e komunikacionit dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.

“Mendimi i tre ekspertëve në seancën kryesore mos me u përmend fare unë nuk e di, mirëpo mu më vjen mirë në qoftë se prokurorja i ka qato aftësi edhe aftësitë e ekspertave edhe aftësitë juridike dhe e përshendës prokuroren për këto aftësi”, tha avokati Syla drejtuar prokurores.

Po ashtu, fjalët e tyre përfundimtare i dhanë edhe avokatët Fahredin Syla dhe Flamur Ahmeti, të cilët kërkuan që klientët e tyre të lirohen nga akuzat e Prokurorisë.

Për këtë seancë për KALLXO.com foli avokati Flamur Ahmeti.

Ai tha se pret nga Gjykata që të vlerësojë drejt argumentet dhe provat e paraqitura gjatë shqyrtimeve gjyqësore.

“I mbrojturi im është Zenel Robelli, i cili është i akuzuar për dy vepra penale atë të dhënies së ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale si dhe veprën penale mosdhënia e ndihmës, ku për veprën e parë ka pranuar fajësinë kurse veprën e dytë nuk e ka pranuar”, tha avokati Ahmeti.

Sipas tij, Gjykata duhet të hedhë poshtë aktin akuzues sepse nuk ka prova që e dëshmojnë atë.

“Pas 9 seancave sot u mbajt fjala përfundimtare ku unë si mbrojtës paraqita fjalën përfundimtare, ku për veprën të cilën e ka pranuar fajësinë klienti im kam kërkuar dënim me kusht ndërsa për veprën tjetër për të cilën janë zhvilluar shqyrtime gjyqësore kam kërkuar nga gjykata që për këtë vepër të hidhet akti akuzues ngase nga të gjitha provat materiale, dëgjimi i dëshmitarëve, ekspertiza mjeko-ligjore si dhe dalja në vendin e ngjarjes dëshmojnë se viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Zenel Robelli dhe Përparim Miftari akuzohen se në dit[n kritike edhe pse kanë mundur të ofrojnë ndihmë edhe pa rrezikuar veten e tyre, nuk i kanë ofruar ndihmë tani të ndjerit Naim Rexhepi, të cilin e kishin lënë në vendin e ngjarjes.

E sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.

Ky rast më herët ishte dërguar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjilan, por më pastaj është kthyer përsëri në Departamentin e Përgjithshëm në Kamenicë.

KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-vdekjen-e-ciklistit-dalin-ne-gjyq/