Fisnik Ismaili Mbetet në Arrest Shtëpiak

“Të martën me 08.12.2015 një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit ka  lënë në fuqi  masën  e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurit Fisnik Ismajli. Apeli ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e avokatit mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 01.12.2015,” thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Apeli: Rezulton dyshimi i bazuar se i pandehuri (Fisnik Ismaili) ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Apeli në komunikatë e arsyeton vendimin për mbetjen në fuqi të arrestit shtëpiak për deputetin e “Vetëvendosjes”.

“Prej shkresave të lëndës, respektivisht, prej provave të mbledhura gjer me tani rezulton dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet,” thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata nuk e merr për bazë as ankesën se deputeti ka imunitet funksional, pasi thotë se çështja e imunitetit është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin AGj 138/11.

Më 20 shtator 2011 Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se “nuk ekziston imunitet që pengon ndjekjen penale të deputetëve për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”.

Apeli nuk hoqi masën e arrestit shtëpiak për Ismailin edhe nga frika e bazuar se ai po të ndodhet në liri do ta përsërisë veprën për të cilën dyshohet.

Ismaili dyshohet nga prokuroria për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Fisnik Ismaili u arrestua më 1 dhjetor, pasi sipas policisë në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës iu gjetën dy bombola të dyshuara me gaz lotsjellës. Atij të njëjtën ditë iu caktua arresti shtëpiak prej një muaji.

Edhe sot u arrestuan deputetët e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu e Faton Topalli, të dyshuar për aktivizim lotsjellësi në seancat e Kuvendit.