Filmi ‘Kthim' pjesë e Festivalit të Filmit në Innsbruck të Austrisë

Filmi “Kthimi” (The return) i Kastriot Abdylit, do të prezantohet në edicionin e 28-të të “International Film Festival Innsbruck” të Austrisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi publik.

Sipas këtij njoftimi, festivali i Insbrukut do të mbahet prej 28 maj deri më 2 qershor 2019, ndërsa filmi “Kthimi” do të prezantohet në konkurrencë zyrtare dhe shfaqet më  29 maj në ora 17.

Shfaqja e këtij filmi në kuadër të këtij festivali, sipas QKK-së, paraqet mundësi të mirë edhe për komunitetin shqiptar për të parë filmin, i cili për nga tematika është shumë i afërt me përditshmërinë e mërgimtarëve.

Filmi “Kthimi” trajton migrimin si fenomen te shqiptarët, si dhe kontarditat që sjell integrimi dhe globalizimi në traditat e familjeve shqiptare.

Filmi është bashkë-prodhim i Agjencisë së Filmit të Maqedonisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, realizuar nga “Dardania Film” – Shkup dhe “Shkupi Film” Prishtinë.