Marija Novakoviç në apartamentin e saj në Prishtinë. Foto: BIRN.

Refugjatja serbe rikthehet në shtëpinë e saj në Kosovë, 22 vjet pasi u largua që aty

Më shumë se dy dekada pasi u largua nga vendlindja e saj Prishtina si pasojë e luftës, Marina Novakoviç mori përsëri çelësat e apartamentit të saj në kryeqytetin e Kosovës dhe u kthye për të jetuar aty së bashku me fqinjët e saj shqiptarë etnikë.

Apartamenti i Marija Novakoviç nuk ka kuzhinë, as divan dhe as krevat, por asaj nuk i intereson kjo.

Ajo është e kënaqur sepse javën e kaluar mori çelësat e apartamentit që la në korrik 1999 kur mijëra serbë lanë shtëpitë e tyre në Kosovë nga frika e hakmarrjes nga shqiptarët etnikë që po ktheheshin pasi forcat serbe u tërhoqën në fund të luftës.

“Është e pabesueshme! E pabesueshme”, tha ajo ndërsa ecte nëpër apartamentin e saj të vogël në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku tha se e kaloi fëmijërinë e saj duke luajtur me miqtë shqiptarë.

“Kam jetuar këtu që kur kam qenë vajzë e vogël. Unë jam rritur këtu. Jam me fat”, tha Novakoviç për BIRN në apartamentin e saj.

Ashtu si shumë të tjerë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, jeta nuk ka qenë e mirë për Novakoviçin, bashkëshortin dhe fëmijët e saj gjatë shumë viteve që ata kanë kaluar si refugjatë. Ndërsa ishin refugjatë në Serbi, ata lëvizën shumë, duke u zhvendosur nga Nishi në Blace derisa më në fund u vendosën në Beograd.

Rikthimi i apartamentit ishte një betejë rraskapitëse shtatë-mujore me burokraci për Novakoviçin.

Gordana Djoriç nga OJQ-ja lokale Avenija, e cila është e njohur me rastin e Novakoviçit, tha se u desh shumë punë që ajo të merrte në dorë çelësat e saj.

“Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ishte i pari që na ndihmoi. Kur panë dokumentet, arritën në përfundimin se Marija ka të drejtë ta ketë apartamentin”, tha Djoriç për BIRN.

Më pas ata e dërguan rastin në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, e cila e zgjidhi situatën.

Slavica Filipoviç, nëna e Marija Novakoviç. Foto: BIRN.

“Filluam të ndiheshim të pasigurt”

Jeta për familjen e Novakoviçit ndryshoi një ditë të ngrohtë në korrik 1999, jo shumë kohë pas përfundimit të luftës, kur ata vendosën se qëndrimi në Prishtinë nuk ishte më një opsion dhe iu bashkuan serbëve të tjerë që po largoheshin nga shtëpitë e tyre.

“Ishte shumë e vështirë të largohesha”, tha Novakoviç. “Ishte data 4 korrik 1999. Filluam të ndiheshim të pasigurt dhe fqinjët na thanë se nuk mund të na ndihmonin më.”

Mijëra serbë si Novakoviçi u larguan me nxitim nga Kosova menjëherë pas luftës, nga frika e një ndëshkimi të mundshëm për fushatën e represionit, masakrave dhe spastrimit etnik të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Por kthimi i tyre ka qenë i ngadaltë dhe numri i atyre që kthehen ka qenë i ulët.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, zyra e UNHCR-së në Kosovë tha për BIRN se 29,075 serbë dhe anëtarë të grupeve të tjera të pakicave etnike që u larguan pas luftës janë kthyer në Kosovë që nga viti 1999.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, 498 persona janë kthyer vullnetarisht në vitin 2017, dhe më pas 327 në 2018, 191 në 2019, 394 në 2020 dhe 368 në 2021.

“Kthimi i qëndrueshëm ka nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse të përqendruar në ndihmën socio-ekonomike të lidhur me ofrimin e projekteve të strehimit, si dhe me iniciativa të një bashkëjetese paqësore”, tha zyra e UNHCR-së.

Në një raport të nëntorit 2019 për të rikthyerit, Misioni i OSBE-së në Kosovë tha gjithashtu se ka parë që numri i të kthyerve të zvogëlohet me kalimin e kohës.

“Rreth 20 vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, përkundër ndihmës së konsiderueshme ndërkombëtare dhe programeve të synuara, një numri të madh të personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës u mungojnë zgjidhje të qëndrueshme që do t’u mundësonin atyre të jetonin një jetë të qëndrueshme me dinjitet”, tha OSBE.

“Numri i ulët i të rikthyerve dhe tendencat në rënie konfirmojnë se problemet që pengojnë kthimin vazhdojnë ende, ndërsa merret parasysh që situatat e tejzgjatura të zhvendosjes në vetvete çojnë gjithashtu në një interes më të ulët për t’u rikthyer”, shtoi ajo.

Raporti i OSBE-së thoshte se “problemet e pronës kanë vazhduar të pengojnë progresin”.

“Zaptimi i paligjshëm i pronave dhe pengesat në ndarjen e tokës për programet e ndihmës për strehim kanë penguar ushtrimin e të drejtave pronësore nga personat e zhvendosur”, shpjegoi ai.

“Nuk i humba kurrë shpresat se do të rikthehesha”

Mund të kenë kaluar më shumë se dy dekada, por Marija Novakoviç ende mund t’i përmendë të gjithë fqinjët e saj të vjetër shqiptarë me të cilët ndante gëzimet dhe hidhërimet në një nga lagjet më të famshme të Prishtinës, Ulpiana, në vitet e para luftës.

“Kam dëgjuar që xhaxhai Isai, fqinji ynë, nuk është më mes nesh. Me vjen shumë keq. Nëse do të isha informuar për vdekjen, do të kisha shkuar në funeralin e tij”, tha ajo, duke derdhur lot teksa fliste për fqinjin e saj të dikurshëm.

“Mbaj mend Dritonin, Jetonin… Gjithmonë vinim e shkonim në shtëpitë e njëri-tjetrit, qoftë për Krishtlindje apo për Bajram. E prisja gjithmonë me padurim bakllavanë. Kam videokaseta të vjetra kur mblidheshim për ditëlindje. Shkonim gjithmonë shumë mirë, në kohë gëzimi dhe hidhërimi”, kujton ajo.

Që nga kthimi i saj disa ditë më parë, ajo tha se kishte mundur të takonte vetëm një nga fqinjët e saj të vjetër shqiptarë.

“Po pres të vendosem këtu dhe më pas të përpiqem t’i takoj. Dua të dal të bëj një xhiro nëpër rrugët e lagjes Ulpiana”, tha ajo.

Gjatë viteve të saj si refugjate, ajo tha se kishte marrë kërkesa të vazhdueshme për ta shitur apartamentin, siç bënë shumë serbë në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën, veçanërisht pas luftës.

“Kam pasur shumë oferta për ta shitur apartamentin, por nuk kam dashur. Nëse do të kisha dashur, do ta kisha shitur 20 vjet më parë”, tha ajo.

“Nuk i humba kurrë shpresat se një ditë do të kthehesha këtu. Kurrë. Ka njerëz që më thoshin se ishte e rrezikshme të kthehesha këtu, por unë ndihem e sigurt”, shtoi ajo.

Një ish-punonjëse e një kopshti publik, ajo tha se shpreson se do të mund të gjejë një punë, ndoshta në fushën ku ndihet më mirë – duke punuar me fëmijët parashkollorë.

Nëna e saj, Slavica, 65 vjeçe, është kthyer të jetojë me vajzën e saj.

“Ky është qyteti ku kam lindur. Këtu kam lindur fëmijët e mi dhe krijova një familje”, tha ajo.

Nexhmedin Shala, i cili jeton në të njëjtën lagje, tha ato se do të mirëpriten.

“Kosova është shtet i lirë dhe njerëzit mund të jetojnë në një Kosovë të lirë. Sa i përket fqinjëve, ajo mund të ndihet e sigurt në apartamentin e saj”, tha Shala për mediat para pallatit të tyre ditën kur Novakoviç mori çelësat dhe u kthye në apartamentin e saj.

Përveç problemeve ekonomike, siguria konsiderohet të jetë një nga problemet më të mëdha që i pengon ata që ikën nga shtëpitë e tyre në vitin 1999 të kthehen për të jetuar në Kosovë. Kthimi i serbëve për të jetuar në zonat urbane me shumicë shqiptare, siç është Prishtina, është i pazakontë.

Vitin e kaluar, kur një grua serbe vendosi të kthehej në apartamentin e saj në qytetin perëndimor të Gjakovës, ajo u përball me një situatë shumë ndryshe.

Dragica Gasiç, e para dhe e vetmja serbe e rikthyer pas luftës në qytet, u grabit dhe iu nënshtrua kërcënimeve të ndryshme pasi u kthye korrikun e kaluar.

Por në Prishtinë, Novakoviç tha se ndihet e sigurt dhe pohoi se ka ardhur koha që më shumë serbë të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Tashmë janë kushtet për t’u rikthyer në Kosovë. Shpresoj që kushtet të ekzistojnë. Unë ndihem e sigurt këtu”, tha ajo.

Ajo u emocionua teksa risolli në kujtesë kujtimet e bukura nga vendlindja e saj.

“Kush mund të të heqë diçka që e ke në zemër?” pyeti ajo. “Akush.”