Muzeu i Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kosova pa përgjigje rreth kthimit të thesarit arkeologjik dhe etnologjik që mbahen në Serbi
Mbi 1,200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike të Kosovës që nga viti 1999 mbahen në Serbi. Këto artefakte mbahen në dy muze në Beograd.
Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk i është përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme dhe kërkesave zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës (MKK), për kthimin e artefakteve në vendin e origjinës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është treguar e rezervuar kur është pyetur lidhur me veprimet që po merren për kthimin e artefakteve.
Krejt ajo që dihet dhe është thënë publikisht nga qeveria lidhur me kthimin e artefakteve është mbështetja që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, i dhanë vitin e kaluar drejtorit të MKK-së, Ajet Leci, në letrën zyrtare drejtuar muzeve në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, me kërkesën për kthimin e artefakteve në Kosovë.
Njohësit e fushës së muzeologjisë, thonë se çështja e moskthimin të artefakteve duhet të jetë temë e bisedimeve me Serbinë.
Beteja për kthimin e artefakteve
As MKRS e as drejtori i MKK-së, nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com, lidhur me veprimet që po merren apo planifikojnë t’ i marrin institucionet tona për të mundësuar kthimin e artefakteve në Kosovë.
Por, gjatë shënimit të ditës së muzeve, në hapje të ekspozitës “Return us home”, ministri Çeku deklaroi se qeveria, përkatësisht MKRS është duke punuar në vazhdimësi për çështjen e kthimit të artefakteve të MKK-së, sidomos me institucione ndërkombëtare.
“Veprimet tonë për këtë çështje janë profesionale, përmes platformave profesionale, por edhe politike që koleksionet e fondit të trashëgimisë të kthehen në vendin e origjinës”, theksoi Çeku gjatë fjalimit të tij.
Ndërsa studiuesi Bashkim Lajçi tha për KALLXO.com se çështja e artefakteve duhet të ngritet gjatë bisedimeve me Serbinë.
Ai thotë se çështjen duhet dërguar edhe në gjykatat përkatëse ndërkombëtare.
“Është e nevojshme që kjo çështje të trajtohet më seriozisht edhe gjatë bisedimeve me Serbinë. Thënë ndryshe, institucionet tona përkatëse nuk duhet vetëm ta akuzojnë Serbinë për artefaktet e vjedhura, por edhe të kërkojnë nga gjykatat edhe institucionet relevante ndërkombëtare, kthimin e tyre”, ka thënë Lajçi.
Ndërsa studiuesi Valon Shkodra ka thënë për KALLXO.com se për kthimin e eksponateve në Muzeun e Kosovës, nevojitet presion ndërkombëtar. Por, sipas Shkodrës, ndërkombëtarët po bëjnë të kundërtën.
“Siç e kemi vënë re gjatë këtyre dy dekadave, në aspektin e trashëgimisë kulturore pala ndërkombëtare e ka favorizuar shumë shtetin e Serbisë, si pasoj eksponatet e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë akoma në Serbi dhe duke u keqpërdorur nga pronarët e dhunshëm të tyre”, tha ai.
Shkodra thotë se Serbia në vazhdimësi që nga luftërat ballkanike ka marrë eksponatet kosovare dhe numri i tyre është shumë më i madh se i atyre për të cilat po flitet.
“Fatkeqësisht, disa studiues serbë në muzetë e Serbisë, duke bërë interpretime të falsifikuar, mohojnë identitetin dhe prejardhjen e këtyre eksponateve”, ka thënë Shkodra për KALLXO.com.
Udhëtimi pa kthim i artefakteve
Në fillim të vitit 1999, thesari kryesor arkeologjik dhe etnologjik i MKK-së u dërgua në Serbi për t’u ekspozuar nga ish-drejtori e atëhershme e dhunshme e Muzeut të Kosovës.
Që nga ajo kohë, 1,247 eksponate, prej tyre 571 artefakte etnologjike dhe 676 arkeologjike mbahen në dy muze në Serbi.
Pjesë e koleksionit të MKK, që mbahen në Serbi janë disa nga artefaktet më të rëndësishme, si: instrumenti muzikor, Okarina, koka e Erosit e gjetur në Ulpianë, busti i gruas dardani, pjesa kryesore e mozaikut të Gllamnikut, etj. “Hyjnesha në fron”, është i vetmi artefakt i kthyer në vitin 2002, nga ky koleksion, me insistimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner.
Serbia në vazhdimësi refuzoi kthimin artefakteve në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kthimi i tyre parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit. Institucionet kosovare për vite me radhë, përmes aktiviteteve të ndryshme kërkojnë kthimin e artefakteve nga Serbia.
Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës përmes ministres së Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i dha mbështetje drejtorit të MKK-së. Ajet Leci në letrën zyrtare drejtuar Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, me kërkesën për kthimin e artefakteve Kosovë.
Po në vitin 2021, drejtori Leci i dërgoi një letër edhe Rrjeti Ndërkombëtar i Muzeve për këtë çështje.
Ekspozita ‘Return us home’, si thirrje për kthimin e artefakteve që mbahen në Serbi