Muzeu i Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ekspertët: Kthimi i artefakteve nuk duhet të përfshihet në dialog, duhet të jetë i pakushtëzuar 

Çështja e kthimit të artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës, të cilat nga viti 1999 mbahen në Beograd, nuk duhet të futet në agjendën e bisedimeve më Serbinë. 

Kështu kanë thënë për KALLXO.com ekspertë dhe njohës të fushës së trashëgimisë kulturore. 

Sipas tyre, janë një sërë konventash ndërkombëtare të cilat Kosova duhet t’ i shfrytëzojë për kthimin e thesarit arkeologjik dhe etnologjik të saj. 

Kosova dhe Serbia kanë rifilluar këtë muaj bisedimet në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka treguar nëse çështja e kthimit të artefakteve të Muzeut të Kosovës është shtruar gjatë bisedimeve e as nëse në të ardhmen do te jetë temë.  

Thesari kryesor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, me mbi 1200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike që nga viti 1999 mbahen në Serbi. 

Ekspertë të fushës së trashëgimisë thonë se janë një sërë konventash ndërkombëtare të cilat i japin mundësi Qeverisë së Kosovës që të kërkojë kthimin e pakushtëzuar të artefakteve të saj. 

Arben Hajdari, arkeolog dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar ka potencuar për KALLXO.com se kthimi i artefakteve nuk duhet të jetë në asnjë formë pjesë e negociatave.  

“Ekzistojnë mekanizma ligjorë ndërkombëtare të cilat Kosova duhet t`i shfrytëzojë për të kërkuar kthimin e tyre, por edhe për të bërë presion, sikundër edhe për të paditur Serbinë për mos respektim të marrëveshjes. Sipas mendimit tim, kthimi i tyre nuk duhet të jetë në asnjë formë pjesë e negociatave. Negociatat nënkuptojnë edhe kompromis, dhe si pasoj mund te ballafaqohemi me situata kur, mbase si rezultat i kompromiseve, do duhej hequr dore nga disa prej tyre. Është lajm i mirë se Muzeu Kombëtar i Kosovës ka filluar rrugën ligjore, përmes dërgimit të kërkesave, duke kërkuar kthimin e tyre në përputhje me marrëveshjen që kishte nënshkruar për huazimin e tyre për nevoja të ekspozitës”, ka thënë ai. 

Edhe Milot Berisha, arkeolog, ka thënë për KALLXO.com se Kosova duhet të kërkojë kthimin e pakushtëzuar të eksponateve arkeologjike dhe etnografike, duke shfrytëzuar konventat ndërkombëtare. 

“Për më tepër, mbështetur nga të gjitha aktet, normat dhe konventat ndërkombëtare, nëse eksponatet e trashëgimisë kulturore i takojnë një grupi ose shoqërie që janë marrë nga një grup tjetër, dhe nuk kthehen në muzetë mëmë, atëherë ato ligjërisht trajtohen si në një akt plaçkitjeje, grabitjeje apo pengmarrjeje, qoftë në kontekstin e imperializmit, kolonializmit, aparteidit, konfliktit të armatosur apo luftës, dhe mund të shihet edhe si gjenocid kulturor.  

Sipas tij, duhet shfrytëzuar konventat ndërkombëtare, sikurse Konventa e Hagës e vitit 1954 për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, në vendet ku ka pasur konflikte të armatosura, pastaj Konventën e UNESCO-s e vitit 1978 për “Kthimin e Pasurisë Kulturore në Vendet e Origjinës ose në rast të Përvetësimit të Paligjshëm”. 

“Po edhe sipas Konventës UNIDROIT (Instituti Ndërkombëtar për Unifikimin e së Drejtës Private) të vitit 1995, mbi Objektet Kulturore të Vjedhura ose të Eksportuara në mënyrë të Paligjshme, e shumë Konventa tjera ndërkombëtare, unë mendoj dhe besoj që nëse Republika e Serbisë nuk ka vullnet për ti kthyer eksponatet e mbajtur peng (de jure të marra me “letra për ekspozim” e de facto të grabitura), atëherë qeveria e Kosovës duhet komunikuar direkt me UNESCO-n dhe ekskluzivisht me INTERPOLIN, për të rikuperuar trashëgiminë kulturore të saj, kjo rrugë legale dhe legjitime në përpjekje për të rimarrë artefaktet e plaçkitura”, ka thënë Berisha. 

Zyrtarë të MKRS-së nuk janë përgjigjur në pyetje e KALLXO.com lidhur me veprimet e deritashme që ka marrë kjo ministri për kthimin e artefakteve në muze. 

Krejt ajo çfarë dihet se kanë bërë institucionet janë deklaratat dhe letra e drejtorit të MKK-së, Ajet Leci drejtuar Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, me kërkesën për kthimin e artefakteve të MKK-së.  

Në letrat e tij, drejtori Leci u ka përkujtuar institucioneve serbe detyrimet që dalin nga marrëveshja e institucioneve bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës, konventat ndërkombëtare për këtë çështje dhe Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Pakos së Ahtisaarit. 

“Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, thuhet ndër të tjerash në letrën e drejtorit të MKK-së, Ajet Leci drejtuar institucioneve serbe ku mbahen artefaktet kosovare. 

Për këtë veprim ai mori edhe mbështetjen e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. 

Në vitin 1999, në vlugun e luftës në Kosovë, autoritetet e dhunshme serbe të asaj kohe, patën dërguar në Beograd pjesën kryesore të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Muzeut të Kosovës, gjoja për prezantim në një ekspozitë.  

Nga ajo kohë ky thesar prej  1.247 artefakte,  571 eksponate etnologjike dhe 676 eksponate arkeologjike ende mbetet në Serbi. 

Në vitin 2002, ish-kryeadministratori Michael Steiner i ktheu Kosovës, “Hyjneshën në fron”.