Fazliu: Po Kalben Asetet e Sekuestruara

Fazliu raportin për luftë kundër këtyre krimeve e dha për periudhat tetor-dhjetor 2015 dhe janar-mars 2016.

Ai bëri të ditur se sekuestrimet në vitin 2015 ishin të kënaqshme, ndërsa i vlerësoi të suksesshme edhe sekuestrimet e bëra në tre muajt e parë të 2016-ës.

Megjithatë, Fazliu pati edhe ankesa, e cilësoi sfidë shitjen e pasurive të sekuestruara. Tha se asetet e sekuestruara po kalben pa u shitur e prokurorët nuk po reagojnë.

Prokurorët duhet të bëjnë kërkesë në gjykatë për shitjen e aseteve të sekuestruara dhe gjykata pastaj merr vendim për shitjen e tyre.

“Pra, ka vetura që janë sekuestruar që 5, 6, 7 e 8 vjet dhe të njëjtat janë duke u kalbur dhe nuk po reagohet nga prokurorët,” tha Fazliu.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se prokurorët nuk kanë hezituar të kërkojnë shitjen e aseteve, por sipas tij për këtë gjë duhet vendim i gjykatave.

Fazliu më tutje tha se ka pasur raste kur mjetet me të cilat janë kryer vepra penale nuk janë konfiskuar.

“Në vitin 2015 për disa akuza me narkotikë ka pasur lëshime pasi prokurorët nuk kanë kërkuar konfiskimin e mjetit me të cilin është kryer vepra penale,” tha Fazliu.

Aleksandër Lumezi duke lavdëruar raportin e paraqitur nga Fazliu, tha në mbledhjen e Këshillit Prokuroriaal se për të qenë më e efektshme lufta kundër krimeve ekonomike, duhet që në Kodin Penal të Kosovës të futet edhe vepra pasurim i kundërligjshëm.

Në nëntor të vitit të kaluar “Drejtësia në Kosovë” një emision ia kushtoi lirimit të disa makinave të konfiskuara gjatë një aksioni anti-drogë në Mitrovicë.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-neglizhenca-e-prokurorise-ndaj-makinave-te-droges/

Anëtarët e KPK-së pas paraqitjes së këtyre raporteve, i miratuan të dyja, me sugjerimin e anëtarit Bahri Hyseni për një modifikim.

KPK-ja miratoi edhe kërkesën buxhetore për vitin 2017 që është rreth 13 milionë euro.

Më tutje gjatë mbledhjes kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa Zejnullah Gashi që është edhe anëtar i Këshillit Prokurorial, elaboroi pikën e katërt të rendit të ditës që ka të bëjë me përcaktimin e pozitave për avancimin dhe transferimin e prokurorëve në prokurori.

Edhe kjo pikë pastaj u miratua.

Këshilli diskutoi edhe në lidhje me pagesën për ekspertin që do t’i bëjë ekspertizë Pallatit të Drejtësisë. Kjo ekspertizë kap shumën 2 mijë e 500 euro.

Kjo pikë e rendit të ditës u vendos që të tërhiqet me votat pro të tetë anëtarëve të KPK-së, ndërsa 1 votë ishte kundër.

Tërheqja u bë me arsyetimin se ekspertiza për Pallatin e Drejtësisë nuk është kompetencë lëndore e KPK-së.

Emisioni “Jeta në Kosovë” një pjesë të tij në edicionin e dy qershorit ua kushtoi pikërisht problemeve të mundshme në Pallatin e Drejtësisë.

http://kallxo.com/pallati-pa-dritare-dhe-futbolli-me-njohje-ne-jeta-ne-kosove/

Në mbledhjen e KPK-së u vendos që zyrtari ligjor Valdrin Krasniqi të jetë sekretar i Komisionit për Çështje Normative.

KPK-ja aprovoi edhe pikën e rendit të ditës që ka të bëjë me pagesat e sekretarëve të komisioneve.

Po ashtu KPK-ja vendosi që Laura Pula të jetë anëtare e Komisionit Mbikëqyrës për Njësitin Kundër Korrupsionit. Pula në këtë pozitë do ta zëvendësojë anëtarin e deritashëm Shqipdon Fazliun.

KPK-ja caktoi Arben Ismajlin si person kontaktues për kërcënimet eventuale qe mund t’u bëhen prokurorëve.

Ndërsa kur radha u erdhi pikave 9,10 dhe 11 që kishin të bënin me rastet disiplinore, KPK-ja mori vendim që të përjashtohet publiku.