Ilustrim

Mbi 3.5 milionë euro pasuri e konfiskuar në periudhën prill-qershor 2023

Në takimin e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, u bë prezantimi i raportit të punës së mekanizmit që përcjellë të dhënat për pasurinë e konfiskuar dhe të sekuestruar.

Prokurori Shqipdon Fazliu, në cilësi të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, gjatë raportimit të tij, bëri të ditur se në periudhën prill – qershor 2023, janë konfiskuar pasuri të jashtëligjshme në shumën mbi 3.5 milionë euro.

Sipas raportit, kjo pasuri e konfiskuar rezulton nga puna e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

‘’Shuma e pasurisë së konfiskuar në këtë tremujor ka qenë më e madhja në pesë vitet e fundit dhe një trend i tillë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen’’, shtoi prokurori Fazliu.

Tutje, prokurori Fazliu theksoi faktin që ky mekanizëm është shumë efikas në dobësimin ekonomik të individëve dhe grupeve kriminale dhe tregon një aspekt të fuqishëm për luftimin e krimit.

Përgjatë prezantimit të këtij raporti, u theksua se vlera e pasurisë së ngrirë dhe të sekuestruar, e cila dyshohet se është fituar nga aktivitetet kriminale, arrin vlerën 63 milionë euro.

Ky raport për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik u miratua nga anëtarët e Këshillit.