Nga një mbledhje e Këshillit Prokurorial | Foto: KALLXO.com

Fazliu: Periudhë e Artë e Sekuestrimeve

Koordinatori kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike Shqipdon Fazliu raportoi në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës për periudhën prill-qershor 2016.

Ai gjatë raportimit foli për pasurinë e sekuestruar nën dyshimet për fitim të paligjshëm të saj.

“Periudha prill-qershor 2016 është periudhë e artë, pasi që në këtë periudhë kemi 58 deri në 60 milionë euro sekuestrime,” tha Fazliu.

Fazliu e quajti sukses këtë shumë të arritur sekuestrimesh, ndërsa suksesin e lidhi me aksionet për lirimin e pronave të uzurpuara, ndërsa ia atribuoi kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.

Kryeprokurori i shtetit nuk e mohoi suksesin e sekuestrimeve, por tha që gjykatat duhet të punojnë për konfiskimin e pasurisë së sekuestruar.

Ne gjatë këtij 3 mujori kemi pasur sukses në sekuestrim, mirëpo nuk e dimë rezultatin e konfiskimit, andaj gjykata duhet të punojë sa u përket konfiskimeve,” tha Lumezi.

Lumezi deklaroi që 48 prokurorë kanë lëshuar urdhra për sekuestrim.

Edhe koordinatori Fazliu u ankua në punën e gjykatave.

“Për tre vjet nuk kemi asnjë aktgjykim përfundimtar sa i përket sekuestrimit. Pra s’është asnjë rast i madh nga gjykata,” tha Fazliu.

Kryeprokurori Lumezi kërkoi miratimin sa më të shpejtë në Kuvend të Ligjit Antimafia, pasi tha se për këtë çështje ka presion nga mediet, shoqëria civile dhe opozita.

KALLXO.com shkroi në vazhdimësi për lirimin e objekteve të uzurpuara nga aksionet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Policisë së Kosovës.

http://kallxo.com/veseli-nga-elani-vushtrrise-flet-per-masa-ne-pallat-te-rinise/

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-per-largimin-e-uzurpatoreve-nga-pronat-e-akp-se/

Fazliu e përmendi si shembull të mirë punën e një prokurori të Prokurorisë Speciale nga e cila sipas tij buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë i janë derdhur 300 mijë euro.

KALLXO.com ka shkruar për gjykimin e disa zyrtarëve të kësaj ministrie dhe dy biznesmenëve, të cilët e kanë pranuar fajësinë ndërsa janë obliguar të kthejnë mjetet për të cilat akuzoheshin se e kanë dëmtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

http://kallxo.com/dy-biznesmene-do-ti-kthejne-buxhetit-te-shtetit-402-228-euro/

Pas përfundimit të prezantimit nga Shqipdon Fazliu, Këshilli Prokurorial miratoi me të gjitha votat për të të pranishmëve raportin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën prill-qershor 2016.

Në mbledhjen e sotme u aprovua edhe Raporti i Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit.

Ndërsa Këshilli Prokurorial aprovoi me disa vërejtje edhe Raportin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Njësitit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike.

Kryetari i këtij komisioni para këshillit deklaroi se gjate periudhës janar – qershor janë zgjedhur 269 kallëzime penale, kallëzime këto të periudhës 2001/2010, ndërsa janë ngritur 33 aktakuza e janë hedhur poshtë 30 kallëzime penale.

Kryeprokurori Lumezi ne lidhje me këtë raport deklaroi se nuk jam i kënaqur me punën e njësive te cilat kanë punuar, pasi që nuk kemi emrat e personave te akuzuar, pozitën e tyre, e po ashtu sipas Lumezit në raport nuk është dhënë arsye pse janë hedhur 30 kallëzime penale.

Këshilli po ashtu ne mbledhjen e sotme aprovoi edhe dy propozimet për kryeprokuror te Prokurorisë Speciale dhe asaj të Apelit. Për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale i propozuar është Reshat Millaku, ndërsa për kryeprokuror të Prokurorisë se Apelit Haxhi Dërguti.

Të dy aktualisht mbajnë pozitat e ushtruesve të detyrës në këto prokurori.