Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon - Foto: REL

Fajon: Europa po humb kredibilitetin ndërsa qytetarët e Kosovës shpresën

Parlamenti Europian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve europianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.

Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Europian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.

Fajon e ka përmendur sërish se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga blloku europian. Përveç kësaj ajo ka thënë se:

“…nëse ju sot thoni se Kosova nuk ka përmbushur obligimet ju thjesht jeni duke gënjyer, jeni duke u treguar të papërgjegjshëm”.

Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Europa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Pas këtyre diskutimeve, Parlamenti Europian pritet të votojë të enjten për hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Europian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Europian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Europian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Europian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen. (REL)