Ilustrimi.KALLXO.com

Pse ndryshoi qëndrimi tradicional i Spanjës për Kosovën?

‘Myzhdja’ e së dielës së parë të vitit të ri e dhënë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që Spanja ka njohur pasaportën e Kosovës, ka shpërthyer si një lajm i befasishëm, duke sjellë pyetje se pse ky ndryshim ka ndodhur pikërisht në këtë kohë.

Edhe pse disa ditë më parë, qytetarët e Kosovës filluan të shijojnë lirinë e lëvizjes në zonën Schengen, ndër vite është theksuar se Spanja ka pasur një politikë të qëndrueshme të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe mospranimin e pasaportave të saj, duke përfshirë edhe refuzimin e liberalizimit të vizave.

Nëntë muaj më parë, pas dhënies së dritës jeshile nga Komisioni Europian më 19 prill për liberalizimin e vizave për Kosovën, Spanja ndoqi avazin e vjetër duke deklaruar se nuk do të njohë pasaportat e Kosovës dhe më pas e rikonfirmoi këtë vendim në Parlamentin Europian.

“Spanja ka një politikë tradicionale të mosnjohjes së Kosovës dhe ajo politikë tradicionale çon në mosnjohjen e pasaportave të Kosovës dhe është diçka që ne e kemi aplikuar vazhdimisht për shumë vite dhe është e njohur” – kishte thënë ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, më 21 prill të vitit 2023, duke shtuar që qytetarët e Kosovës nuk do të mund të hynë në vend në vitin 2024 pa viza, pavarësisht hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.

Po i njëjti ministër pas njohjes së pasaportave nga Spanja më 6 janar, foli ndryshe për këtë temë.

Ai tha që njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja i përgjigjet vetëm një vendimi të BE-së dhe nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit tradicional të qeverisë spanjolle kundër pavarësisë, ani pse faktikisht ndryshe kishte thënë disa muaj më parë.

“Pozicioni i Spanjës nuk ka ndryshuar. Spanja ende nuk e njeh Kosovën dhe sovranitetin e saj sepse nuk i njeh shpalljet e njëanshme të pavarësisë” – tha Albares gjatë një vizite në qytetin Herencia në La Mancha të Spanjës më 8 janar 2024, raportojnë mediat spanjolle.

Pavarësisht kësaj, sipas Albares, Spanja ka marrë vendimin për të njohur pasaportën e Kosovës si anëtare e Zonës Schengen, “sikurse të gjitha shtetet që nuk e njohin Kosovën brenda Bashkimit Europian”.

Sipas ministrit spanjoll, edhe vendet e tjera të botës i kanë njohur “ato pasaporta të zakonshme pa nënkuptuar njohjen e Kosovës si shtet”.

Edhe në përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës për KALLXO.com në lidhje me vizat, ata iu referuan shtetit të Kosovës me fusnotë, që bazohet në Rezolutën 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Të gjitha shtetet që nuk e njohin Schengen kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohjen e Kosovës*”- tha zëdhënësja e Ministrisë, Elena Aljarilla Cortezon, me arsyetimin që pa këtë modifikim, mbajtësit e këtyre pasaportave do të kishin probleme në vizitën e ligjshme të shteteve që nuk i njohin.

Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme e Komisionit Europian udhëzimin e saj për dokumentet e udhëtimit, duke thënë se “Spanja njeh, nga 1 janari 2024, pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të Zonës Schengen.

Zëdhënësja Cortezon shtoi që Spanja favorizon dhe do të vazhdojë të favorizojë dialogun Beograd-Prishtinë si një mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe synon të minimizojë ndikimin e tij tek qytetarët.

Opozita spanjolle e sheh vendimin për Kosovën si “zgjidhje” për problemet e brendshme.

Në këtë kontekst, opozita spanjolle ka reaguar me dyshime dhe kritika, duke thënë se vendimi mund të ketë motive të tjera politike.

Sipas të përditshmes “El Mundo”, partia opozitare konservatore, Partia Popullore (PP) hedh dyshime që kryeministri socialist Pedro Sanchez synon të fillojë t’i mësojë opinionin publik dhe partnerët europianë të mësohen me ndryshimin e opinionit dhe kështu të promovojë një “njohje të dialogut të tij me lëvizjen për pavarësi”, raporton media spanjolle “El Mundo”.

Sanchez është kryeministër i Spanjës që nga viti 2018. Në korrik 2023, humbi nga opozita kryesore konservatore, Partia Popullore e qendrës së djathtë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023. Por e pati të pamundur të formojë qeverinë.

Ndërkaq në zgjedhjet e nëntorit 2023, Sanchez fitoi sërish, pasi që arriti një marrëveshje me partinë separatiste katalane Junts që ka në krye ish-presidentin katalanas Carlos Puigdemont, duke ofruar amnisti për ata që morën pjesë në një përpjekje të dështuar për pavarësinë rajonale gjashtë vjet më parë. Ndërkaq PP nuk kishte ofruar amnisti për të njëjtit, përkundrazi ata i përshkruan si tradhtarë të Spanjës.

Sipas Partisë Popullore në qarqet diplomatike një vendim i tillë për Kosovën, interpretohet si një manovër, objektivi i së cilës është “të fillojë të justifikojë diskursin e ri të Ekzekutivit të koalicionit ndaj Katalonisë.

Interpretimi i popullorëve është që hapi i konsiderimit të pasaportave të vlefshme është ndërmarrë në prag të votimit të ashpër nga Kongresi të tre dekretligjeve, të cilave për momentin kundërshtohen frontalisht.

“Partia Popullore pohojnë se nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e tezës se nuk mund të njihen pasaportat kosovare, por insistojnë që të paktën një vendim i përmasave të tilla, që për shumë nuk është gjë tjetër veçse hapi i parë drejt njohjes së shtetit, “duhet konsideruar.” dhe debatoi në Parlament për të vlerësuar derivatet dhe pasojat e tij”- shkruan El Mundo.

Në botëkuptimin e Partisë Popullore “Qeveria përpiqet t’i kalojë problemet e saj të brendshme në politikën e jashtme” ose, thënë ndryshe, “bëhet fjalë për ushtrimin e një politike të jashtme të kushtëzuar nga problemet e brendshme me të cilat përballet Ekzekutivi”.

Partia Popullore do të kërkojë paraqitjen e ministrit Albares në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Ulët për të dhënë shpjegime rreth këtij vendimi dhe, madje nuk përjashtojnë as paraqitjen e kryeministrit në seancë plenare, shkruan El Mundo.

“Edhe një herë”, ankohen ata, “ne spanjollët kemi marrë vesh përmes mediave dhe rrjeteve sociale për vendimet e marra nga qeveria në politikën e jashtme, duke e bërë të qartë përbuzjen e saj ndaj Parlamentit”.

Ata po kërkojnë ta dinë nëse vendimi për pranimin e pasaportave kosovare “paraqet një hap drejt njohjes së territorit ballkanik”; të hetohen arsyet që e kanë motivuar Qeverinë “të ndryshojë qëndrimin e vendit tonë për këtë çështje duke marrë parasysh se vetëm nëntë muaj më parë ishte vendosur e kundërta”.

Gjithashtu sipas El Mundo, popullorët do të kërkojnë nga Ekzekutivi që të shpjegojë nëse është duke u “shtruar presion apo kushtëzuar nga partnerët e tij të koalicionit për të thyer qëndrimin e mbajtur nga Spanja që nga viti 2008” dhe nëse qeveria është e vendosur të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj të “mosnjohjes” së Kosovës.

Pse Spanja nuk e njeh Kosovën?

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë, tashmë edhe Spanja.

Gjithë çështja qëndron tek Katalonia që shumë shpesh krahasohet me rastin e Kosovës.

Një zyrtar i “Together for Catalonia (Bashkë për Kataloninë)”, parti në Kataloni, ka thënë se janë të lumtur për kosovarët dhe të gëzuar që nuk do të kenë nevojë për të lobuar rreth kësaj teme në Kuvendin e Spanjës.

Qeveria rajonale e Katalonisë e udhëhequr nga e majta republikane katalonjase, ka thënë se “qëndrimi i saj është në përputhje të plotë me pozicionin e institucioneve evropiane për njohjen dhe sovranitetin e Kosovës”. “Është Spanja ajo që ka qëndrim ndryshe. Është anomali”, ka thënë për Financial Times.

Më 27 tetor 2017 Parlamenti i Katalonisë kishte votuar për ta shpallur pavarësinë nga Spanja. Ndërkaq, Senati i Spanjës menjëherë reagoi duke votuar për ta zbatuar Nenin 155 të Kushtetutës së vendit, duke marrë përkohësisht pushtetin e drejtpërdrejtë mbi Kataloninë.

Mbajtja e referendumit për pavarësinë e Katalonisë më 1 tetor 2017 i gjykuar si veprim i kundërligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës  dhe dhuna e ushtruar nga policia spanjolle lanë shenjë në historinë e Spanjës dhe Katalonisë. Për këtë arsye rasti i luftës së Kosovës krahasohet me Kataloninë, ani pse vlerësohet se nuk ka aq ngjashmëri.

“Rasti i Spanjës dhe Katalonisë nuk kanë të bëjnë asgjë me atë të Serbisë dhe Kosovës”- kishte thënë kryeministri Kurti në vitin 2022 gjatë qëndrimit në Spanjë, për median spanjolle El Periodico.

Mosmarrëveshja e gjata të Spanjës me Kataloninë kanë rrënjët shumë vite më parë nën pushtetin e Frankos, regjimi diktatorial i të cilit shtypi autonominë e kufizuar të mëparshme të Katalonisë. Në vitin 1979, katër vjet pas vdekjes së tij, rajonit iu dha një autonomi më e madhe.

Në vitin 2006, qeveria spanjolle mbështeti thirrjet e Katalonisë për fuqi edhe më të mëdha dhe kontroll financiar të rajonit, duke i dhënë statusin e “kombit”.

Fushata e Katalonisë për t’u shkëputur ka marrë vrull që nga viti 2010, atëherë kur ekonomia e Spanjës u zhyt në krizë financiare.