Eqrem Basha merr çmimin për vepër jetësore | Foto: KALLXO.com

Eqrem Bashës i Jepet Çmimi ‘Azem Shkreli’

Poetit Eqrem Basha iu nda sot Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”.

Basha e vlerësoi lart ndarjen e çmimit me emrin e poetit dhe shkrimtarit të njohur kosovar.

“Ky çmim që më ndahet sot e mban emrin e shkrimtarit të madh që e çmojmë të gjithë për shkak të veprës së tij . Çmime të rëndësishme si ky në mesin tonë janë më prestigjiozët”, tha Basha.

Çmimi “Azem Shkreli” ka vlerë monetare prej 5 mijë eurove, ndërsa fituesit përveç këtyre parave i jepet edhe plaketë dhe certifikatë.

Ministria e Kulturës ndau sot edhe çmime tjera për shkrimtarë dhe vepra që sipas saj u veçuan gjatë vitit të kaluar.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” iu dha shkrimtares Majlinda Bregasi për romanin “Ikje”.

Çmimi për veprën letrare më të mirë, kritike letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova”, iu nda Gëzim Aliut për studimin “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963 – 1990, Retorika e Tekstit dhe Narracionit”.

Çmimin për veprën letrare më të mirë për fëmijë “Vehbi Kikaj” e mori Fatmire Duraku për prozën “Dea dhe Kërriçi i Vetmuar”.

Ndërkaq, çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani” e fitoi Arben Atashi për përkthimin e romanit “Të vdesësh në pranverë” të Ralf Rothman-it.

Çmimet për prozat, veprat dhe përkthimet më të mira kanë vlerën 2500 euro.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” iu nda autorëve Demë Topalli për veprën “Sytë që Dinë me Pa” dhe Abdullah Zeneli për “Vetmia e Mermertë”. Të dy autorët do të shpërblehen me vlerë monetare nga 1,250 euro.

Shkrimtari Abdullah Zeneli kishte thënë më parë se do ta refuzonte çmimin e fituar, ndërsa kjo u konfirmua edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës.

Çmimin “Azem Shkreli” për vitin 2015 e fitoi Ali Aliu.