Platforma "Mirëqenia psikologjike"

“Mirëqenia psikologjike”, platforma që ofron shërbime psikologjike e logopedike falas

Të rinjtë tashmë e kanë një vend ku u ofrohen shërbime psikologjike e logopedike pa pagesë.

Platforma “Mirëqenia Psikologjike”, në Prishtinë, ka një muaj që zyrtarisht është lansuar.

Kjo nismë përfshin një gamë të gjerë të shërbimeve, seanca terapeutike, këshilla në mënyrë fizike dhe online, konsulta logopedike, të gjitha pa pagesë, nga profesionistët e fushave.

Projekti nisi nga ideja e një vajze të re dhe është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për rreth 3 muaj.

Shërbimet do të ofrohen në mënyrë vullnetare edhe në rast se do të ketë mungesë të mbështetjes pas përfundimit të projektit.

Eliesa Jakupi, koordinatore e këtij projekti, tha se ajo ka mbi dy vite që është e angazhuar në punë vullnetare. Meqë shëndeti mendor ka një ndikim të rëndësishëm në jetën e të rinjve ajo mendoi të realizojë një projekt lidhur me këtë çështje.

“Një projekt i tillë është bërë në mënyrë që të rinjtë të munden me i përballu këto sfida, qoftë edhe me anë të një këshillimi të vogël e kështu me radhë, pastaj me profesionistë të fushës, kemi mendu që me bë një projekt të tillë. Fillimisht kemi apliku dhe ky projekt ka marrë mbështetje nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport” – ka thënë ajo për KALLXO.com.

Tutje ajo tregoi se si funksionon kjo platformë.

“Aktivitetet të cilat kemi mendu me i përfshi në këtë projekt janë linja e hapur online dhe fizikisht e cila i ndihmon të rinjtë që çfarëdo sfide të shëndetit mendor që e kanë me e shfaqë te psikologu, mandej me u këshillu në mënyrën e duhur“- shtoi ajo.

Më tej, koordinatorja tha se edhe të rinjtë që jetojnë në diasporë mund të marrin shërbime të tilla.

Eliesa Jakupi, Foto: KALLXO.com

“Ne kemi mendu që të ndihmojmë në zhvillimin e të rinjve që janë kosovarë në diasporë. Pse e kemi mendu këtë është se shpesh të rinjtë që shkojnë për studime apo që e ndërrojnë për një qëllim apo tjetër vendin, përballen me sfida të ndryshme, si ambientimi me një vend të ri, po ashtu gjetja e shoqërisë të re”- theksoi Jakupi.

Përpos shërbimeve psikologjike ajo tregoi që ofrohen edhe ato logopedike.

“Përveç shërbimeve psikologjike ka edhe logopedë vullnetarë të cilët e kanë ofruar mundësinë të japin shërbime logopedike falas për të rinjtë të cilët mund të kenë probleme siç është belbëzimi i cili është i shfaqur në mosha të mëdha edhe që zakonisht krijohet për shkak të ankthit, stresit social e kështu me radhë” – ka thënë koordinatorja e projektit.

Ndonëse ka pasur interesim për platformën nga mosha e re ajo konsideron që interesimi nuk është i kënaqshëm.

Psikologët e përfshirë tha se janë të fushave të ndryshme si psikolog klinik, të orientimit në karrierë, e psikolog shkollor.

Sipas saj, një platformë e tillë është shumë e nevojshme në vendin tonë kjo ngase në Kosovë mungojnë sidomos ato pa pagesë.

Ata kanë menduar të shpërndajnë edhe disa broshura dhe të lansojnë një video me mesazhe sensibilizuese për shëndetin mendor.

Ajo u ka bërë thirrje të rinjve që në qoftë se kanë ndonjë sfidë të thërrasin në numrin e telefonit: +38348492998.

“Le të ndihen të lirë, të dhënat e tyre do të jenë konfidenciale edhe besoj që këshillat të cilat do t’i marrin nga psikologët profesionistë, do t’u ndihmojnë shumë që ata me u përballë me çfarëdo problemi në jetë që e kanë” – ka shtuar Jakupi.

Grupmosha e përfshirë në projekt tha se është nga 18 deri në 24 vjet, por nëse ka interesim nga moshat e tjera ata do t’u ofrojnë edhe atyre hapësirë.

Ndërkaq, psikologu Leutrim Edipi theksoi se iniciativa është marrë duke i pasur parasysh faktorët socio-ekonomikë në Kosovë që thotë se janë një barrierë shumë e madhe për personat që vendosin të marrin shërbime.

“Mirëqenia psikologjike” ka një orar specifik në linjën online.

“Gjatë ditës, e hënë – e premte, çdo ditë, ofrohen shërbime online. Kryesisht në shërbime online ofrohet mbështetje psikologjike. Mirëpo, është edhe modaliteti tjetër, nëse përmes linjës vlerësohet që ai individ që jemi duke e diskutu ka hapësirë edhe ka nevojë që me vazhdu me shërbime të mëtutjeshme mandej referohet për seanca psikoterapeutike fizikisht në qendër” – ka thënë psikologu.

Leutrim Edipi, psikolog, Foto: KALLXO.com

Më tej, ai ka dhënë edhe detaje të tjera lidhur me ndihmën që po i ofrohet grupmoshës së re.

“Shërbimet që ofrohen në platformë janë konsulta dhe seanca psikologjike për të rinjtë që përballen me vështirësi të ndryshme të shëndetit mendor, seanca këshillimi për orientim në karrierë, seanca këshillimi për prindërit e rinj, me u ofru këshilla mbi stile të prindërimit mbi vështirësitë që ata i hasin”- ka treguar Edipi.

Ai konsideron që këto nisma duhet të mbështeten sa më shumë.

Psikologu ka thënë se Kosova është një vend i dalë prej luftës dhe zakonisht në vende të tilla pas një periudhe mund të shpërfaqet çrregullimi i stresit post-traumatik.

Pastaj tha se është një shtet që ballafaqohet edhe me aspektin social-ekonomik e krejt këto janë faktorë që ndikojnë në mirëqenien e të rinjve.

Tutje, ai ka shtuar se ka nevojë të ketë sa më shumë modele të mira të prindërimit.

Psikologu tha se nëse arrijnë t’i edukojnë këta të rinj, ata do të jenë një gjeneratë e cila do ta shohin më ndryshe çështjen e shëndetit mendor.

“Këta të rinjtë kanë me qenë potencialisht një gjeneratë e cila ka me i rritë fëmijët që kanë me pa se është normale me folë për shëndetin mendor, është normale kur ndihesh i mërzitur, është normale me qajtë e jo me i ndrydhë emocionet, jo me i ndrydhë përvojat traumatike të tipit me izolu rastin”- ka thënë për KALLXO.com psikologu Edipi.

Si shoqëri, në përgjithësi, ai tha se e ndjekim një model të gabuar kur një person po kalon një periudhë të vështirë.

“Mbështetja që i ofrohet nuk është e duhura, për shembull i thuhet duhet me bë durim e krahasojnë me përvoja të tjerëve, a ndoshta personi ka nevojë për me i ofru dashni, me i ofru përkrahje, me i thënë: fol për këtë pjesë dhe ta trajtojmë këtë në nivel emocional”- tha Edipi.

Platforma “Mirëqenia Psikologjike”

Psikologu tregoi se thirrjet kryesisht kanë qenë për shqetësime emocionale që ndërlidhen me ankthin, depresionin, çrregullime të sjelljes, stresin gjatë studimeve, pjesën e orientimit në karrierë.

Te studentët shtoi se më shumë fokusi është te performanca akademike dhe se si të arrijnë ata të menaxhojnë stresin.

Ai kërkon nga të rinjtë që të mos hezitojnë për të mbajtur seanca psikologjike.

“I ftojmë të gjithë të rinjtë që të mos hezitojnë të shfrytëzojnë rastin, këtë derë të mundësive që është ofru dhe të provojnë qoftë fizikisht, qoftë përmes linjës, me pa çka domethënë realisht me mbajt një seancë, me një psikolog, për shkak që ka paragjykime dhe ka skenare të krijuara në kokën e secilit”- ka thënë ai.

Intervenimi i hershëm për çfarëdo problematike tha se eliminon mundësitë potenciale që në të ardhmen të ketë vështirësi të tjera.

Tutje, ai është shprehur se nuk është turp të kërkosh mbështetje emocionale nga familjarët, miqtë, profesionistët e shëndetit mendor, pra nuk duhet të ngurrohet asnjëherë.

Logopedi Rinor Vrajolli ka thënë se kur është infomuar se do të lansohet një projekt i tillë ishte shumë entuziast për të bashkëpunuar, duke marrë parasysh nevojën në vendin tonë për këtë çështje.

Tutje ai shtoi se ndjeu obligim moral dhe profesional që të kontribuojë në dhënien e shërbimeve të cilat do të ndihmojnë në mirëqenien e popullit.

“Në këtë projekt unë kontriboj në mënyrë vullnetare sepse mirëqenia për të tjerët mua më ofron një ndjenjë të natyrshme të arritjes dhe suksesit”- tha logopedi për KALLXO.com.

Ai tha se shërbimet pa pagesë në këtë fushë janë të nevojshme ngase kanë një kosto të lartë.

“Trajtimi logopedik në shumicën e çrregullimeve kërkon seanca të shumta për të arritur suksesin në habilitimin dhe rehabilitimin e aftësive komunikuese. Numri i madh i seancave logopedike mund të jetë kosto e lartë për marrësit e shërbimeve, prandaj shërbimet logopedike falas janë të nevojshme për shtresën e popullsisë që nuk mund t’i mbulojnë këto shpenzime”- ka thënë ai.

Ai shtoi se në shumë raste klientët ndërpresin trajtimin logopedik për arsye financiare.

Shërbimet logopedike falas ai tha se janë të dobishme sepse klientët vazhdojnë trajtimin deri në fund kur të arrihet suksesi.

KALLXO.com ka pyetur Ministrinë e Kulturës nëse do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tutje këtë projekt, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.