Dorëzohet padi në Gjykatë për tenderin e Ministrisë së Kulturës për kompleksin “Adem Jashari”

Instituti për Shkencë dhe Teknologji (INSI), ka dorëzuar të premten, më 16.02.2024 padi në Gjykatën Komerciale në Prishtinë, në lidhje me tenderin e Ministrisë së Kulturës për “Zhvillimi i masterplanit për kompleksin memorial Adem Jashari”.

Vlera e tenderit është 3 milionë euro, ndërsa ky Institut ka dorëzuar padinë pasi që ka qenë ofertues në këtë tender dhe pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), si shkallë e dytë e ankesave, kishte refuzuar ankesën e tyre.

Qëndrim Arifi, avokat i INSI, në një konferencë për media pas dorëzimit të padisë ka thënë se faza e vlerësimit të ofertave është përcjellur me parregullsi.

“Instituti nuk është pajtuar me vlerësimin për dy arsye kryesore. E para, dosja e këtij tenderi e ka saktësuar në mënyrë të qartë ‘pjesa ideore e projektit dorëzohet në mënyrë fizike, ndërsa pjesa tjetër në mënyrë elektronike’” – ka thënë Arifi.

“I vetmi operator ekonomik që ka dorëzuar në këto dy forma është Instituti për Shkencë dhe Teknologji. Dy të tjerët e kanë dorëzuar vetëm fizikisht”.

Shkelja e dytë, sipas avokatit Arifi, ka qenë se njëra nga kompanitë e ka zbuluar identitetin e saj, gjatë ofertimit. Sipas tij, në fazën e ofertimit kompanitë do duhej të ofertonin me shifra, pa emër.

“Shkelja e dytë ka të bëjë me njërën nga kompanitë e cila e zbulon identitetin e saj. Tenderët kryesisht të projektimit, zakonisht kur shkojnë në ofertë fizike, duhet të jenë anonim, me shifra. Njëra kompani i hap të dhënat, ne sot e dijmë emrin dhe mbiemrin e asaj kompanie, të atyre operatorëve ekonomikë” – ka thënë Arifi.

Në fund, avokati Qëndrim Arifi ka bërë të ditur se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka refuzuar ankesën e tyre dhe ka konfiskuar taksën e ankesës, në vlerë prej 5 mijë euro.