Festivali i Këngës për herë të parë në Kosovë, do mbahet në Pallatin e Rinisë në kryeqytet

Kosova për herë të parë do organizojë Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik, i cili pritet të mbahet në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë në kryeqytet më 26, 27 dhe 28 tetor 2023.

Kryetari Përparim Rama ka bërë të ditur se në bashkëpunim më Ministrinë e Kulturës po kthejnë Pallatin e Rinisë në skenë të madhe të muzikës shqipe.

Në këtë sallë tashmë janë bërë ndërhyrje në pastrim e rregullim të hapësirës.

“Së bashku me Ministrinë e Kulturës po e rikthejmë Pallatinë e Rinisë në kryefjalën e kryeqytetit. Po e kthejmë në skenën më të madhe të muzikës shqipe, ku për tre netë me radhë do të zhvillohet për herë të parë Festivali i Këngës në RTK. E kemi pastruar në tërësi sallën e djegur të Pallatit dhe tani po ja lëmë të kaluarës”- është shprehur Rama.

Derisa, organizimi do bëhet nga drejtori i Festivalit, Adi Krasta.

“Këtë javë kjo hapësirë do të mbushet me njerëz si dikur, do të brohorasin për këngën e këngëtarin e preferuar, do të kënaqen me tingujt e magjishëm të muzikantëve tonë, nën organizimin e jashtëzakonshëm e me plot përkushtim të drejtorit të festivalit, Adi Krasta”- shtoi tutje Rama.

I pari i kryeqytetit shtoi se bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike Banesore kanë ndarë 350 mijë euro investim për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së Kryeqytetit.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) do të mbahet më 26, 27 dhe 28 tetor 2023, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Detajet nga organizimi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK janë shpalosur dje në një konferencë për media nga udhëheqësit dhe moderatorët e këtij festivali.

“Pallati i Rinisë” në Prishtinë si kompleks u hartua në atë mënyrë që  do përfshinte manifestimet e karakterit të ndryshëm si shoqëror, publik, kulturor, zbavitës, sportiv-rekreativ, ekonomik.

Më 25 shkurt të vitit 2000 palestra më e madhe e këtij pallati u përfshi nga zjarri, duke dëmtuar tërësisht pjesën brenda dhe kulmin.

Atë kohë me donacionet e dedikuara nga UFORK-u në shumë prej 1,450,000 euro dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shumë prej 113,000 euro, është kryer rekonstruktimi i kulmit, fasadës, xhamave dhe kupolave, por palestra nuk u prek.

Krasta: Festivalit i Këngës është një moment historik për jetën kulturore të Kosovës