Qeveria: Do të sanojmë dëmet e shkaktuara në Manastirin e Banjskës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar se sulmi terrorist, përveç që ia mori jetën heroit Afrim Bunjaku, kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale.
Çeku në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se manastiri ortodoks në Banjskë, monument i trashëgemisë kulturore i mbrojtur me ligje të Kosovës u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë armatimin e tyre.
“Sulmi terrorist i sponzorizuar nga shteti i Serbisë përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgemisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgemisë kulturore i mbrojtur me ligje të Kosovës u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë armatimin e tyre”- deklaroi ai.
Ministri tha se nga ajo se çfarë kanë parë, terroristet kanë shkaktuar dëme në strukturën fizike të manastirit, teksa shtoi se dikasteri që ai drejton, ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës, sapo të krijohen kushtet e nevojshme për sanim.
“Nga ajo se çfarë kemi parë terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri, besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi po edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare e kundëretnike në Kosovë”- u shpreh Çeku.
“Ministria e Kulturës tashmë ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës. Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri”- shtoi ai.
Çeku theksoi se gatishmëria dhe vullneti i Qeverisë do vazhdojnë të jenë në nivel të lartë në mbrojtjen e trashëgimive kulturore e cila në rastin e objekteve të kultit, siç tha ai “duhet të ju shërbejë besimtarëve të fuqizojë harmoninë ndërfetare e ndëretnike dhe jo të përdoret për qëllime kriminale e destabilizuese për Kosovën”.
Një sulm fillimisht me armatim të rëndë ishte kryer ndaj një patrulle kufitare rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës. Një polic kufitar Afrim Bunjaku u vra nga ky sulm e një polic tjetër u plagos.
Pasi u mor informacioni për sulm ndaj policisë grupi terrorist u bart në Banjskë dhe u vendos në Manastirin e Banjskës. Për disa orë ata sulmuan policinë e më pas u arratisën.
Policia në bastisjet që ka kryer në shtëpi private përreth manastirit gjeti dhjetëra armatime.
Deri më tani të dhënat zyrtare flasin për 8 të arrestuar, përfshirë edhe pjesëtarë të grupit terrorist dhe 3 nga i njëjti grup të vrarë.
Zhvillimet nga veriu pas paralajmërimeve se bastisjet përfunduan